Kush synon të blejë një Ferrari të ri duhet të përgatitet për një pritje të gjatë. Prodhuesi italian i veturave luksoze ka grumbulluar një numër të madh porosish, ndaj dorëzimi i disa modeleve të reja mund të vonohet deri në vitin 2028.
Të lidhura
None found
Interesi për automjetet e Ferrarit ka rezultuar më i lartë sesa parashikimet e kompanisë. Marka nga Maranello ka bërë të ditur se kapacitetet e porosive janë të rezervuara për një periudhë të konsiderueshme, çka i detyron klientët e rinj të presin disa vite për automjetin e tyre.
Modelet më të fundit të prodhuesit kanë ndikuar veçanërisht në rritjen e kërkesës. Mes tyre është Ferrari 12Cilindri, pasuesi i modelit 812 Superfast, krahas automjeteve të tjera ekskluzive që prodhohen në seri të kufizuara.
Kufizimi i numrit të veturave të prodhuara mbetet pjesë e strategjisë së Ferrarit për të mbrojtur ekskluzivitetin e markës. Sipas kësaj qasjeje, prodhimi më i ulët ndihmon që çdo model të ruajë vlerën dhe nivelin e lartë të kërkesës.
Për një pjesë të madhe të klientëve të pasur, problemi kryesor nuk është kostoja e lartë e automjetit, por koha që duhet pritur. Në raste të caktuara, kalojnë disa vite nga porositja deri te marrja e veturës.
Kërkesa e jashtëzakonshme për Ferrarin dëshmon se markat më prestigjioze të veturave sportive vazhdojnë të tërheqin fuqishëm blerësit, pavarësisht transformimeve në industrinë automobilistike, kalimit drejt automobilave elektrike dhe rritjes së kostove të prodhimit.
