Gjenerata e re e Hyundai Bayon është prezantuar në panairin e automjeteve në Paris, me ndryshime të dukshme në dizajn, pajisje më të avancuara dhe hapësirë të shtuar për udhëtarët.
Të lidhura
None found
SUV-i kompakt i markës koreano-jugore vjen me një pamje më të fuqishme dhe forma të theksuara gjeometrike. Përmes këtij modeli, Hyundai synon të krijojë një identitet më të veçantë në segment dhe të largohet nga linjat e ngjashme me ato të automjeteve të tjera.
Bayon-i i ri është 4.245 milimetra i gjatë, 1.810 milimetra i gjerë dhe ka një distancë prej 2.600 milimetrash mes boshteve. Në modelet me motor me djegie të brendshme, hapësira e bagazhit arrin në 440 litra, ndërsa varianti hibrid do të ofrojë 397 litra.
Kabina përmban dy ekrane të lakuara 12,3-inçëshe, të dedikuara për funksionet multimediale dhe panelin digjital të instrumenteve. Pajisjet përfshijnë edhe Apple CarPlay dhe Android Auto me lidhje pa kabllo, si dhe sistemin Hyundai Digital Key 2. Ky funksion lejon zhbllokimin dhe ndezjen e automjetit duke përdorur një telefon inteligjent ose një orë të pajtueshme.
Komoditeti është përmirësuar gjithashtu në varësi të nivelit të pajisjeve. Ulëset e përparme mund të kenë ngrohje dhe ventilim, ndërsa pasagjerët në pjesën e pasme përfitojnë më shumë hapësirë për këmbët, mbështetëse shpine të rregullueshme dhe dalje të dedikuara të ajrit.
Bayon-i do të jetë i disponueshëm edhe në konfigurimin sportiv N Line. Ky version karakterizohet nga elemente aerodinamike të veçanta, fellne 18-inçëshe, zbukurime në ngjyrë të zezë dhe ulëse sportive në kabinë.
Fillimisht, gama e motorëve do të përbëhet nga njësitë 1.0 T-GDI, të cilat zhvillojnë 90 dhe 115 kuaj/fuqi. Në një fazë të mëvonshme do të shtohet edhe varianti hibrid, ku motori 1.6 GDI punon së bashku me një motor elektrik për të prodhuar gjithsej 138 kuajfuqi.
Modeli hibrid do të pajiset me frenim rigjenerues, i cili ndryshon nivelin e rikuperimit të energjisë në varësi të kushteve të vozitjes. Përmes komandave të vendosura pas timonit, drejtuesi do të mund ta përshtatë këtë nivel.
Prodhimi i Bayon-it të ri për tregun evropian do të kryhet në fabrikën e Hyundai-t në Turqi. Varianti hibrid pritet të hyjë në gamë gjatë vitit 2027, ndërsa çmimet ende nuk janë bërë publike.







