Afërsisht 2.86 milionë automjete të markave Volkswagen dhe Audi, të shitura në tregje të ndryshme të botës, mund të jenë të prekura nga një defekt në sistemin e drejtimit. Të dhënat janë bërë publike nga Autoriteti Federal i Transportit Motorik të Gjermanisë (KBA).
Të lidhura
None found
Shkak i problemit dyshohet të jetë një vidë që mban të fiksuar mekanizmin e drejtimit.
Korrozioni, në rrethana të caktuara, mund të dobësojë dhe thyejë vidën. Në skenarin më serioz, kjo mund të çojë në humbjen e kontrollit mbi drejtimin dhe të shtojë mundësinë e aksidenteve.
Lista e modeleve të prekura përfshin Audi Q3, ndërsa nga Volkswagen janë identifikuar Golf, Tiguan, Touran dhe Caddy.
Audi ka vendosur të nisë një fushatë paraprake të tërheqjes së automjeteve. Ndërhyrja do të realizohet pa pagesë për pronarët dhe parashikohet të zgjasë deri në një orë.
Vlerësimet paraprake flasin për rreth 2.16 milionë automjete Volkswagen dhe mbi 696 mijë automjete Audi që mund të përfshihen në këtë problem në rang global.
Çështja mbetet ende “nën hetim” nga KBA, e cila pritet të përcaktojë masat e ardhshme pas përfundimit të vlerësimit. /Telegrafi/
