Shqipëria e nisi me sukses debutimin zyrtar të trajnerit Rolando Maran, duke mposhtur Bjellorusinë me rezultatin 2-0. Pas përfundimit të sfidës në “Air Albania”, tekniku italian analizoi paraqitjen e skuadrës dhe disa prej vendimeve të tij gjatë ndeshjes.
Të lidhura
None found
“Nuk mund të kërkohej një start më i mirë. Jam i kënaqur me mënyrën se si u shfaq ekipi. Futbollistët zbatuan në fushë atë që kemi punuar gjatë stërvitjeve.
Kur loja nisi të hapej, menduam se ishte momenti i duhur për të aktivizuar Uzunin. Vendimi lidhej me karakteristikat e lojtarëve dhe ndryshimin mes Seferit dhe Uzunit. E dinim që sfida do të ishte e vështirë që në fillim”, u shpreh Maran.
Trajneri kuqezi vlerësoi edhe organizimin e kundërshtarit, duke kujtuar rezultatet e fundit të Bjellorusisë. Sipas tij, ekipi kundërshtar u tërhoq shumë prapa, por Shqipëria arriti të gjente mënyrën për të shfaqur vlerat e saj.
“Nuk duhet të harrojmë rezultatet e fundit të Bjellorusisë. Ata janë një skuadër që qëndron shumë poshtë, por ne arritëm ta gjenim veten. Sa i përket lojtarit më të mirë të mbrëmjes, duhet të veçohet shpirti i ekipit dhe sakrifica e të gjithëve.
Muçi është një futbollist i rëndësishëm dhe e dëshmoi këtë edhe sonte. Megjithatë, nuk dua që të kemi vetëm një lojtar si pikë reference. Jam shumë i lumtur për Muçin, por edhe për asistin e Asllanit”, deklaroi Maran.
