Audisë iu deshën vetëm 405 ditë për ta shndërruar Nuvolarin nga skica fillestare në një prototip plotësisht funksional dhe të gatshëm për prova në rrugë publike, duke e përfunduar kështu superveturën e re në kohë rekord.
Të lidhura
None found
Nuvolari është konceptuar si një superveturë hibride plug-in. Sistemi i saj përbëhet nga një motor V8 4.0 litra me dy turbo dhe tre njësi elektrike, prej të cilave njëra është vendosur brenda transmisionit, ndërsa dy të tjerat vënë në lëvizje boshtin e përparmë.
Në tërësi, konfigurimi hibrid prodhon rreth 1000 kuaj/fuqi dhe 729 Nm çift-rrotullim. Këto shifra e renditin Nuvolarin si automjetin rrugor më të fuqishëm që Audi ka realizuar ndonjëherë.
Me kapacitet 7.3 kWh, bateria është relativisht e vogël. Ajo është projektuar për të dhënë impulse të shpejta të energjisë elektrike, duke shmangur njëkohësisht shtimin e panevojshëm të peshës.
Gjatë provave të para, motorët elektrikë kanë shfaqur reagim të menjëhershëm. Ndërkohë, njësia V8 çliron fuqi të madhe sapo turbo-t krijojnë presionin e nevojshëm. Ky kombinim synon të bashkojë performancën e lartë me një ndjesi drejtimi të përafërt me atë të një makine garash.
Për ta përshpejtuar realizimin e projektit, Audi i zhvilloi në të njëjtën kohë aspektet e dizajnit dhe ato inxhinierike, në vend që të ndiqte metodën tradicionale, ku secila etapë mbyllet përpara fillimit të tjetrës. Prototipet iu nënshtruan me shpejtësi testimeve në kushte reale, me qëllim verifikimin e sistemit hibrid dhe të ftohjes.
Në procesin e krijimit të Nuvolarit u shfrytëzuan gjithashtu njohuri të lidhura me Formula 1, sidomos në menaxhimin e temperaturës dhe shpërndarjen e energjisë. Për Audi-n, ky projekt përfaqëson një dëshmi të rëndësishme se sa shpejt mund të ndërtohet një automjet i pajisur me teknologji të avancuar.
