Përballja e 1/8 së finales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Egjiptit ka shënuar një rekord të pazakontë jashtë stadiumit, pasi në Google u regjistrua niveli më i lartë i kërkimeve i matur ndonjëherë.
Të lidhura
None found
Informacioni u konfirmua nga Nick Fox, nënkryetar i lartë i Google për njohuri dhe informacion. Sipas tij, Google Search “kishte thyer të gjitha rekordet e mëparshme të përdorimit”.
Interesimi arriti pikën kulmore pak pasi Argjentina shënoi golin vendimtar dhe përmbysi rezultatin, duke mposhtur Egjiptin 3:2.
Raportimet bëjnë të ditur se shpërthimi më i madh i kërkimeve ndodhi në momentin kur Enzo Fernandez shënoi golin e fitores në fund të ndeshjes.
Pas këtij episodi, kërkimet u rritën ndjeshëm në të gjithë botën, me vëmendjen e përqendruar te ndeshja, Lionel Messi dhe Kupa e Botës.
Google, megjithatë, nuk ka bërë publike shifrën e saktë të kërkimeve dhe as mënyrën e përdorur për përcaktimin e këtij rekordi.
Edhe pse të dhënat numerike mungojnë, deklarata e një drejtuesi të lartë të kompanisë dëshmon për interesimin global që shkaktoi dueli mes Argjentinës dhe Egjiptit.
Rezultati dramatik 3:2 i siguroi Argjentinës vijimin e rrugëtimit në turne, ndërsa ndeshja u kthye edhe në një prej ngjarjeve sportive me ndikimin më të madh digjital në historinë e Google. /GazetaExpress/
