UEFA me një surprizë të veçantë për Eriksen dhe mjekët që i shpëtuan jetën

Një nga momentet më emocionues në Euro 2020 do të mbetet padyshim ai rrëzim i Christian Eriksen në fushën e lojës në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, për shkak të një arresti kardiak.

Stafi mjekësor ndërhyri shumë shpejt dhe bëri maksimumin për të rikthyer në jetë mesfushorin 29-vjeçar, i cili pas disa ditësh qëndrimi në një klinikë në Kopenghagen, është kthyer në shtëpinë e tij dhe po pushon në prani të familjarëve.

Megjithatë bota e futbollit ndali frymën për minuta tëra, duke pritur me ankth e duke u lutur për Eriksen, që ia doli të fitojë betejën me vdekjen, ndërsa tani po përgatitet për sfidën e radhës, atë të rikthimit në fushat e blerta.

Kjo ngjarje do të mbetet gjatë në memorien e të gjithëve dhe nuk mund të anashkalohej as nga UEFA, që ka ftuar Christian Eriksen dhe 6 mjekët që i dhanë ndihmën e parë, të jenë prezentë në finalen e 11 korrikut në “Wembley”.

Eriksen dhe mjekët mund të kenë dyfish arsye për të shkuar në finalen e “Wembley”-t, pasi përveç ftesës nga UEFA, një biletë mund ta marrë edhe Danimarka nesër në gjysmëfinalen ndaj Anglisë, nëse ia del të nxjerrë jashtë “Tre luanët”.

Shtuar 7.07.2021 10:38

Tags: ,