UEFA detyroi Egnatian të zhvillojë ndeshjen në “Air Albania”, kampionët rrezikonin humbjen në tavolinë

Situata e krijuar rreth Egnatias para përballjes me Midtjylland, e vlefshme për raundin e parë të Conference League, ka marrë një tjetër zhvillim. Pas zërave për shtyrjen e takimit për shkak të protestave masive në kryeqytet, klubi publikoi një njoftim ku konfirmoi se ndeshja do të luhet sipas planit.

Të lidhura

None found

Pas këtij qëndrimi duket se qëndron edhe presioni i UEFA-s. Institucioni europian i ka kërkuar Egnatias të zbatojë marrëveshjen organizative dhe ta zhvillojë sfidën në stadiumin “Air Albania”, në orën 18:45, ashtu siç përcaktohet në protokollin zyrtar.

Çdo vendim për shtyrjen e ndeshjes ose zhvendosjen e saj në një impiant tjetër do t’i kushtonte shtrenjtë kampionëve të Shqipërisë. Egnatia rrezikonte humbjen në tavolinë, si edhe një gjobë të majme, duke e nisur në mënyrën më të vështirë rrugëtimin europian. Ndërkohë, siguria mbetet ende shqetësimi kryesor, pasi Policia nuk ka reaguar për mbarëvajtjen e përballjes.


Shtuar më 14.10.2026 23:21