Pas ndeshjes së parë të Portugalisë në Kupën e Botës, të mbyllur me barazimin 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, Cristiano Ronaldo reagoi në rrjetet sociale, në një moment kur u përball me kritika të forta dhe një pjesë e publikut e cilësoi paraqitjen e tij si tepër individualiste.
Kapiteni i Portugalisë publikoi më pas një fotografi të kombëtares, të shoqëruar me mesazhin: “Gjithmonë të bashkuar”.
Të lidhura
None found
Më herët, ai kishte ndarë në ‘storyn’ e tij në Instagram një foto që sillte ndër mend rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në futboll, krahas shkrimit: “Përqendrohu në atë që mund të kontrollosh”.
Reagimi i Ronaldos erdhi pasi deklaratat e Joao Neves ndezën shumë komente. Mesfushori portugez u ndal te pozicioni i Ronaldos në skuadër, duke nënvizuar se tashmë ai shihet si çdo futbollist tjetër i ekipit kombëtar.
“E dimë çfarë ka bërë ai për ekipin tonë kombëtar, por në këtë pikë si ai ashtu edhe të gjithë të tjerët e shohin atë thjesht si një tjetër shok skuadre që vjen për të ndihmuar. Ai nuk është ndryshe nga të tjerët dhe do të kontribuojë si të gjithë të tjerët”, tha Neves.
Shumëkush i lexoi këto fjalë si një mungesë respekti ndaj Ronaldos, i konsideruar nga shumë si një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë.
Ndërkohë, Ronaldo është vendosur sërish në qendër të diskutimeve publike, ku vëmendja kryesore është përqendruar te vendi i tij në formacionin titullar të Portugalisë.
Qëndrimet mbeten thellësisht të ndara. Një pjesë mendon se trajneri Roberto Martinez nuk duhej t’i besonte sulmuesit të Al Nassr minuta të plota, ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë respekt për figurën më të madhe të futbollit portugez dhe madje hedhin akuza ndaj bashkëlojtarëve të tij për bojkot.
Zërat dhe aludimet për karakterin e Ronaldos nuk janë diçka e panjohur në Portugali, por disa prej sulmeve të ditëve të fundit janë cilësuar si të paimagjinueshme.
Nuno Saraiva, kolumnist i gazetës A Bola, publikoi një shkrim me titull “Faleminderit për gjithçka, Cristiano. Tani është koha të largohesh!”, ku kërkon hapjen e një kapitulli të ri dhe pretendon se sulmuesi i Al Nassr nuk e mban më statusin e pikës kryesore të referimit në ekipin kombëtar.
Një karrierë që është e vështirë të përsëritet
Ronaldo ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh, teksa ka luajtur për Sporting, Manchester United, Real Madrid dhe Juventus, në një karrierë të rrallë për nga përmasat, ku tashmë është pranë golit të tij të 1000-të. Sulmuesi 41-vjeçar është aktualisht pjesë e Al Nassr në Arabinë Saudite.
Me fanellën e Portugalisë, pesë herë futbollisti më i mirë në botë ka zhvilluar 229 ndeshje, ka realizuar 143 gola dhe ka dhuruar 46 asistime.
