Rabiot shihet larg Juventus, dy klube të Premier Ligës interesohen për mesfushorin francez

Adrien Rabiot ka vendosur të largohet nga Juventusi pas pesë viteve qëndrim në ‘Allianz Stadium’.

Mesfushori francez ka shfaqur një formë të shkëlqyer në vitet e fundit, por kontrata e tij skadon më 30 qershor dhe ai është i vendosur të largohet si lojtar i lirë nga ‘Zonja e Vjetër’.

29-vjeçari këtë sezon ka zhvilluar 31 ndeshje zyrtare në Serie A, ku ka kontribuar me pesë gola dhe ka asistuar në tre të tjerë.

E ardhmja e lojtarit duket se do të jetë në elitën e futbollit anglez , ku dy top klube si Manchester United dhe Newcastle United e kanë bërë prioritet transferimin e tij.

Manchester United e sheh Rabiot si një mundësi për të forcuar mesfushën e tyre pa pasur nevojë të shpenzojë shumë para për transferime. Me cilësinë dhe përvojën e tij, francezi mund të përshtatet shpejt në Premier League dhe të kontribuojë menjëherë në ‘Old Trafford’

Nevoja për një mesfushor qendror dhe mbrojtës cilësor është e qartë për ‘Djajtë e Kuq’ dhe Rabiot do t’i përshtatej në mënyrë të përkryer këtij profili.

Nga ana tjetër, edhe Newcastle United ka shfaqur interesim të madh për lojtarin. Klubi, i mbështetur nga kapacitete të mëdha financiare, është i gatshëm të ofrojë një kontratë tërheqëse për të siguruar shërbimet e Rabiot.

Lojtari francez fiton rreth shtatë milionë euro në Juventus, derisa si Newcastle ashtu edhe Manchester United janë të gatshme t’i ofrojnë kontratë më të mirë financiare. /abcnews.al


Shtuar 26.05.2024 14:13