Po jep maksimumin te Fiorentina, Vlahoviç në “radarët” e Man. United dhe Liverpool

Me 17 gola në 32 ndeshje kampionati, sulmuesi serb Dusan Vlahovic ka përfunduar në qendër të vëmendjes së klubeve më të mëdha italiane e europiane, ndërsa drejtuesit e Fiorentinës “fërkojnë duart” pasi shpresojnë të arkëtojnë të paktën 60 milionë euro nga kartoni i tij.

Sipas mediave britanike, Manchester United dhe Liverpool kanë bërë hapa konkretë në negociatat me sulmuesin 21-vjeçar serb që luan sezonin e tij të tretë në Serinë A dhe ka shpërthyer me gola pikërisht gjatë muajve të parë të 2021-shit.

“Djajtë e kuq” janë prej kohësh në kërkim të një qendërsulmuesi me peshë, i aftë të udhëheqë repartin dhe të shënojë gola, por komplikimi i garës për norvegjezin Haaland, ka bërë që të kthejnë vëmendjen nga Vlahovic.

Nga ana tjetër edhe Klopp kërkon një lojtar me tipare të ngjashme me të serbit, pasi Firmino po vuan nga probleme fizike të shpeshta, ndërsa Diogo Jota është më shumë një sulmues i dytë dhe nuk luan dot me shpinë nga porta.

Aktualisht të dy klubet kanë nisur kontaktet si me menaxherët e Dusan Vlahovic, ashtu edhe me drejtuesit e Fiorentinës, ndërsa presidenti Rocco Commisso ka zbuluar do të heqë dorë nga sulmuesi serb vetëm në këmbim të 60 milionë eurove.


Shtuar 1.05.2021 18:35