Jose Mourinho u prit me entuziazëm të madh në “Stadio Olimpico”, përpara përballjes së Romës me Real Madridin. Tifozët e skuadrës italiane i shprehën edhe një herë mirënjohjen trajnerit portugez për gjurmën që ka lënë në historinë e klubit, veçanërisht për fitimin e edicionit të parë të Ligës së Konferencës.
Mbështetja për Mourinhon kishte nisur që në orët e paradites. Pranë hotelit ku ishte akomoduar skuadra madrilene, një grup tifozësh të Romës i dhuroi portugezit një kopje të ujkonjës, simbol i qytetit dhe i klubit.
Të lidhura
None found
Edhe para nisjes së ndeshjes, atmosfera në stadium u përqendrua te ish-trajneri i Romës. Spikeri i “Stadio Olimpico”-s u kërkoi tifozëve ta përshëndesnin Mourinhon me ovacione, përpara prezantimit të formacionit të Real Madridit.
Thirrjet dhe duartrokitjet mbushën impiantin, duke nderuar teknikun që në vitin 2022 e udhëhoqi Romën drejt trofeut të Ligës së Konferencës, në sezonin e parë të zhvillimit të këtij kompeticioni.
Ky sukses konsiderohet ndër arritjet më të mëdha evropiane të klubit. Një vit më pas, Roma, sërish me Mourinhon në stol, shkoi deri në finalen e Ligës së Evropës, por u mposht nga Sevilla pas gjuajtjeve të penalltive në Budapest.
Në tribunën përballë pankinave u shfaq banderola “Hail Mou”. Rreth dhjetë minuta pas fillimit të takimit, tifozët e “Curva”-s shpalosën edhe një tjetër mesazh, këtë herë me imazhin e trajnerit portugez. Mourinho iu përgjigj kësaj përshëndetjeje duke u dërguar një puthje mbështetësve.
Që në minutat e para, “Stadio Olimpico” u përfshi nga një atmosferë elektrizuese. Tifozët verdhekuq konfirmuan lidhjen e veçantë me Mourinhon, i cili para ndeshjes kishte deklaruar për ta: “Këta njerëz nuk vijnë për ta parë futbollin, ata e luajnë atë”.



