Besiktasi mund të mos llogarisë në Milot Rashicën, ndërsa Hoffenheimi do të jetë pa Albian Hajdarin në ndeshjen e së enjtes, e cila nis në orën 21:00 dhe zhvillohet në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Të lidhura
None found
Rashica ende nuk është rikuperuar plotësisht nga problemet fizike dhe pjesëmarrja e tij ndaj ekipit gjerman mbetet e pasigurt. Për Hoffenheimin luajnë edhe tre futbollistë të tjerë nga Kosova: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
Futbollisti kosovar u dëmtua në takimin e Kosovës kundër Austrisë, të zhvilluar më 4 tetor. Raportimet bëjnë të ditur se 30-vjeçari ka pësuar dëmtim të muskulit në pjesën e sipërme të kofshës së djathtë, çka ka vënë në pikëpyetje gatishmërinë e tij për duelin evropian.
Gjatë këtij edicioni, Rashica është paraqitur në shtatë ndeshje me Besiktasin në të gjitha garat, ndërsa ka shënuar një gol.
Në anën tjetër, Hajdari nuk do të jetë pjesë e Hoffenheimit, pasi mbrojtësi ka pësuar një lëndim të ri vetëm pak ditë pasi ishte rikthyer në stërvitje.
Klubi gjerman bëri të ditur zyrtarisht se mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës ka dëmtuar fashitin plantar gjatë seancës stërvitore të së martës dhe do të mungojë për disa javë.
“Albian Hajdari dëmtoi fashitin plantar gjatë stërvitjes së djeshme dhe nuk do të jetë i disponueshëm për disa javët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Hoffenheimit.
Si rrjedhojë, përballja mes Besiktasit dhe Hoffenheimit rrezikon të luhet pa dy futbollistë të rëndësishëm kosovarë: Rashica vazhdon të jetë në dyshim, ndërsa mungesa e Hajdarit është konfirmuar.





