Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me shifrat 92:79.
Takimi u luajt të shtunën në mbrëmje në palestrën “13 Qershori” në Suharekë dhe ishte i vlefshëm për javën e dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të lidhura
None found
Që në periodën e parë, Ylli ndërtoi një avantazh prej 13 pikësh, duke e fituar atë 27:14.
Dominimi i skuadrës nga Suhareka vijoi edhe në periodën e dytë, çka bëri që pjesa e parë të mbyllej me 20 pikë diferencë, 52:32.
Në periodën e tretë, Prishtina u fut sërish në lojë dhe e reduktoi hendekun në 62:54.
Sidoqoftë, rikthimi i Prishtinës nuk zgjati shumë, pasi Ylli fitoi edhe periodën e fundit dhe e mbylli ndeshjen me rezultatin përfundimtar 92:79.
Khalil Shabazz ishte më i spikaturi te fituesit me 32 pikë, tre kërcime dhe nëntë asistime.
Një tjetër lojtar që u dallua ishte Connor Withers, i cili kontribuoi me 19 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime.
Nga ana e Prishtinës, paraqitje të mirë patën Daniel Hankins-Sanford me 15 pikë, 13 kërcime dhe një asistim, si dhe Bryson Dawkins me 23 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime.
Për Yllin kjo ishte fitorja e gjashtë e këtij edicioni, ndërsa ka edhe katër humbje.
Ndërkaq, Prishtina numëron katër fitore dhe gjashtë disfata.






