Ansu Fati ende nuk ka luajtur një ndeshje të plotë, që pas kthimit nga dëmtimi i rëndë që pësoi në gju një vit më parë. Në “El Clasicon” e humbur me rezultatin 1-2, 18-vjeçari u zëvendësua në minutën e 73-të nga Aguero pasi ndjeu shqetësime në gjurin e djathtë, fatmirësisht në atë të paoperuar.
Mjeku i Barcelonës iu afrua me shpejtësi ta pyetur për dhimbjet që ndiente. Kamerat e fiksuan fytyrën e dëshpëruar të lojtarit, i ulur në bar dhe duke treguar gjurin teksa ngushëllohej nga trajneri i portierëve, Ramon de la Fuente.
Ditët në vijim do të shihet nëse Ansu Fati do të ketë dhimbje apo është diçka kalimtare, për shkak të inaktivitetit të gjurit të paoperuar. Te Barça janë të shqetësuar, sepse kalendari është i ngjeshur me ndeshje çdo tri ditë. Ndeshja e radhës është të mërkurën në Rayo Vallecano.
Në parim, nëse nuk shfaq probleme të mëtejshme, Ansu pritet të rikuperohet në kohë. Koeman po pret me padurim edhe kthimin e Ousmane Dembélésë, i cili do të marrë “ok”-in nga stafi mjekësor këtë të martë.