Fat i ndryshëm i Kuqezinjve, Muçolli humb penallti në Suedi, shkëlqejnë lojtarët e “Shpresave”

Pavarësisht gabimit, u vlerësua lart. Arbnor Muçolli pati një ndeshje për t’u harruar në elitën e futbollit të Suedisë, pasi shpërdoroi një 11-metërsh dhe skuadra e tij humbi.

Skuadra e Goteborg u mposht minimalisht 1-0 në stadiumin e Halmstadt, dhe fajtor padyshim ishte lojtari ofensiv i krahut.

Vendasit shënuan që në minutën e dytë, por Muçolli pati mundësi të barazonte me penallti në minutën e 40’-të.

Nuk ia doli, edhe pse luajti me të vërtetë shkëlqyeshëm duke marrë notën 9.4, e duke ndihmuar Goteborg të kishte epërsi dërrmuese në çdo aspekt, mirëpo, për fat të keq, nuk vlejti.

Fat të kundërt për lojtarin e “Shpresave”, Tim Civeja. Mesfushori difensiv, që ka luajtur dy herë për Kombëtaren U21 vitin e kaluar, shënoi shumë bukur në ligën e tretë të Gjermanisë.

Skuadra e tij, Saarbrucken, fitoi 3 me 1 në fushën e Dynamo Dresden dhe një dorë e dha edhe 22-vjeçari, që realizoi golin e parë të sfidës në minutën e 30’-të.

Një tjetër lojtar i “Shpresave”, Arda Kurtulan, shënoi në Turqi për Diyarbakirspor.

Duke kaluar në Kroaci, një ish-lojtar “Kuqezi” është pranë titullit. Lindon Selahi, me katër ndeshje me Kombëtaren dhe që ishte i grumbulluar edhe ndaj Polonisë në eliminatoret e Euro 2024, ishte në fushë në një fitore të rëndësishme.

Rijeka triumfoi 1-0 në stadiumin e saj ndaj Hajduk Split, në atë që njihet si “Derbi i Adriatikut”, dhe futbollisti shqiptar u dallua jo pak.

Goli u vetëm për vendasit u shënua nga Marko Pasalic 20 minuta para fundit, dhe ata kryesojnë Ligën e Parë të Kroacisë me 65 pikë ndaj 60 të Dinamo Zagreb, që ka një ndeshje më pak. /abcnews.al


Shtuar 8.04.2024 17:22