Erling Haaland e ka bërë të qartë se kush është fajtori kryesor që ai nuk iu bashkua Manchester United

Erling Haaland është bërë pjesë e Ligës Premier vetëm 18 muaj më parë, por tifozët e Manchester United ende e ‘vajtojnë’ faktin se ekipi i tyre i zemrës nuk bëri më shumë përpjekje për transferimin e tij.

Sulmuesi norvegjez arriti në brigjet angleze me një rekord të pabesueshëm të golave dhe ishte njëri ndër akterët kryesor në fitimin e tripletës historike sezonin e kaluar. Fatkeqësisht për United, ata e dinë më së miri se sa vdekjeprurës mund të jetë Haaland.

Haaland tashmë është përballur me Unitedin tri herë, duke shënuar pesë gola dhe duke regjistruar katër asistime.

Por, gjërat mund të kishin përfunduar në anën e kundërt sepse Haaland ka pasur mundësinë që të luaj për “Djajtë e Kuq” dhe jo të jetë kundërshtar i tyre.

Ish-trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, ishte njëri nga personat e parë që e njohu talentin e jashtëzakonshëm të Haaland pasi kishte punuar me të tek ekipi norvegjez Molde. Një ribashkim i tyre në ‘Old Trafford’ dukej më se i logjikshëm, por në fund Haaland përfundoi duke nënshkruar për Borussia Dortmundin.

Për këtë çështje Gary Neville e kishte pyetur Haalandin shkurtimisht pas ardhjes së tij tek Man City.

“Ole ishte trajneri yt. Si ka mundësi që nuk je pjesë e Manchester United”, ishte pyetja e Neville, ndërsa përgjigja e Haaland ishte e thjeshtë: Ju duhet ta pyesni atë.

Solskajer në anën tjetër, kishte zbuluar vitin e kaluar se ai e kishte sugjeruar Haalandin tek United shumë kohë më herët para se ai të përfundonte në radarin e klubeve të mëdha evropiane.

Gjatë asaj kohe Haaland ishte në dispozicion për vetëm katër milionë euro, por hierarkia e klubit vendosën që ta injorojnë këshillën e Solskjaerit. /Telegrafi/