Dion Kacuri ka folur për herë të parë si futbollist i Kosovës, duke theksuar se kalimi te “Dardanët” ishte një zgjedhje e natyrshme për të.
Të lidhura
None found
Mesfushori 22-vjeçar mori ftesën e parë nga Franco Foda për sfidat e Ligës së Kombeve. Ai la Zvicrën, ku kishte qenë kapiten i përfaqësueses U21.
Pas arritjes në Prishtinë, Kacuri deklaroi se nuk e pati të vështirë të vendoste për të përfaqësuar Kosovën dhe se do të përpiqet të japë maksimumin në çdo paraqitje.
“Për mua ishte një vendim i marrë me zemër. Jam shumë i lumtur që do të luaj për Kosovën dhe gjithmonë do të jap më të mirën”, u shpreh ai.
Sipas mesfushorit, lidhja me Kosovën është e fortë, pasi prindërit e tij kanë lindur dhe janë rritur këtu, ndërsa edhe pjesa tjetër e familjes jeton në Kosovë. Ai tregoi se familja e tij vjen për pushime një ose dy herë në vit, ndaj zgjedhja ishte e lehtë.
Kacuri beson te potenciali i ekipit dhe pret rezultate pozitive. Ai vlerësoi se Kosova ka një skuadër të fortë, me lojtarë që aktivizohen në klube të mëdha, duke shpresuar që të fitohet çdo ndeshje.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi në Ligën e Kombeve këtë të enjte, kur në Prishtinë do të përballet me Irlandën.
