Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përcjellë një mesazh emocionues pas mbrëmjes së kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku vuri në dukje lidhjen mes gjeneratave të futbollistëve kosovarë.
Të lidhura
None found
Gjatë kësaj mbrëmjeje, Ademi ishte në shoqërinë e ish-përfaqësuesve Benjamin Kololli dhe Besart Halimi, të cilët kanë kontribuar për fanellën dardane, si dhe të futbollistëve të rinj Leon Frrokaj e Kreshnik Hajrizi, nga të cilët pritet shumë në vitet e ardhshme.
Sipas tij, prania së bashku e futbollistëve që kanë lënë gjurmë dhe e atyre që synojnë ta vazhdojnë këtë rrugëtim dëshmon se të gjithë janë pjesë e së njëjtës histori të Kombëtares së Kosovës.
“Është emocionuese t’i shohësh bashkë breza të ndryshëm të futbollistëve tanë, të bashkuar dhe me të njëjtin pasion për fanellën dardane. Ata që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin tonë dhe ata që nesër do ta vazhdojnë këtë rrugë, janë pjesë e së njëjtës histori, e cila vazhdon të shkruhet me fanellën e Kosovës”, ka shkruar Ademi.
Kreu i FFK-së shtoi se kjo mbrëmje përfaqësonte një festë të përbashkët për të gjithë ata që e përfaqësojnë Kosovën dhe qëndrojnë pranë saj.
“Sonte, festuam të gjithë bashkë me Dardanët, për Kosovën! Forca Dardanë!”, përfundoi Ademi.
