Vedat Muriqi zgjodhi një mënyrë të veçantë për të festuar golin që i siguroi Kosovës fitoren 1-0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kapiteni realizoi në minutat e fundit të përballjes së Ligës së Kombeve, duke i dhuruar skuadrës kosovare tri pikët e para të këtij cikli.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas shënimit, sulmuesi hoqi fanellën e ndeshjes dhe ngriti një fanellë të bardhë, mbi të cilën ishte vendosur një mesazh.
Në pjesën e përparme të saj shkruhej “Drejtësi për çlirimtarët”, ndërsa në pjesën e pasme ishte vendosur thirrja “Jo në emrin tim”. Të njëjtat mesazhe lojtarët e Kosovës i kishin përcjellë edhe gjatë njërës prej seancave stërvitore para takimit me Irlandën.
Ky qëndrim lidhet me reagimet në Kosovë pas vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ditët para ndeshjes, mesazhet ishin shfaqur edhe gjatë protestave të mbajtura në Prishtinë.
Goli i Muriqit ndezi atmosferën në “Fadil Vokrri”. Për disa minuta, tifozët në tribuna brohoritën vazhdimisht “UÇK, UÇK”, ndërsa festuan suksesin që i dha Kosovës fitoren në ndeshjen e parë të këtij cikli.
Pas momentit të golit, Muriqi u bashkua me bashkëlojtarët në festë. Mesazhi i shfaqur në fanellën e tij u kthye në një prej skenave më të komentuara të mbrëmjes në Prishtinë, ndërsa Kosova tani përgatitet për përballjen e radhës kundër Austrisë.
