Erblin Osmani ka shkruar emrin e tij në historinë e Kombëtares së Kosovës, pasi debutoi me “Dardanët” në moshën 17 vjeç, 4 muaj e 5 ditë.
Të lidhura
None found
Talenti i Bayern Munichut u bë kështu futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë për përfaqësuesen e Kosovës. Edhe pse iu dha mundësia të paraqitej vetëm në minutat e fundit, ai la menjëherë përshtypje pozitive.
Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re nga përzgjedhësi Franco Foda, i cili e përmendi Osmanin pas ndeshjes dhe vlerësoi kontributin e tij në pak minuta lojë.
“Erblinin e kemi vendosur në minutat e fundit, e ka treguar veten shumë mirë në stërvitje. Është aset i rëndësishëm dhe e dëshmoi veten në ato pak minuta. Ka kryer detyrat me sukses”, deklaroi Foda.
Trajneri i Kosovës theksoi gjithashtu se 17-vjeçari konsiderohet një pjesë e rëndësishme e së ardhmes së ekipit kombëtar.
“Është lojtar i të ardhmes për Kosovën”, përfundoi Foda.
Debutimi i shkurtër në kohë ishte një hap i madh për Osmanin, i cili tashmë mban rekordin si lojtari më i ri në historinë e Kombëtares së Kosovës.
