Sot prova e së vërtetës, Shqipëria përballë Lewandowskit me shokë

Shqipëria ka treguar se di të bëjë surpriza, sidmos vitet e fundit me potencialin që sa vjen edhe shtohet.

Tre ndeshjet e para për kualifikueset e Katar 2022,  për Shqipërinë kanë qenë pozitive duke rritur entuziazmin se kualifikimi nuk është i pamundur.

Ndeshja e sotme përballë Polonisë në Varshavë është prova e vërtetë për djemtë e drejtuar nga Edy Reja.

Reja e di që kjo sfidë nuk është lehtë, për vetë faktin se polakët kanë 7 vite që nuk munden në shtëpi.

“E dimë që ndeshja nuk është e lehtë. Edhe si traditë, kjo është një skuadër e cila nuk mundet në shtëpi prej 7 vitesh, ndaj nuk është e lehtë se ka vlera. Duhet të bëjmë ndeshje të kujdesshme, por pa harruar fazën ofensive, duhet bërë presing në fazën ofensive, nëse duam t’i krijojmë probleme.

Nuk duhet të gabojmë asgjë se me lojtarët që ka përpara, duhet të ndërtojmë një barrierë dhe t’u japim sa më pak mundësi që të arrijnë në konkluzion.

Por jemi të ndërgjegjshëm që po rritemi, kemi rritur ndërgjegjësimin, jemi kompakt, sulmuesit po punojnë mirë sidomos së fundmi dhe në fund sipas opinionit, jemi skuadër që mbyllemi mirë e rinisemi. E kemi treguar në ndonjë ndeshje, jo gjithmonë.

Sa për kundërshtarin, për të markuar Levandovskin duhet me shumë se një lojtar. Shpresoj që ai të mos jetë në formën që tregon me Bayernin’, deklaroi Reja. /albeu.com/


Shtuar 2.09.2021 09:40