Një përplasje e fortë u zhvillua në emisionin “Prime News24” të News24 mes Myslym Murrizit dhe analistit Arbër Hitaj, ku diskutimi u përqendrua te e ardhmja politike e Erion Veliajt, riorganizimi territorial dhe tensionet brenda Partisë Socialiste.
Murrizi ngriti dyshime mbi mënyrën se si po ndryshohet harta territoriale e Tiranës, duke argumentuar se ky proces mund t’i japë Veliajt mundësinë të shmangë kufizimin ligjor për tre mandate.
Të lidhura
None found
Sipas tij, përfshirja e njësive administrative të Rinasit dhe Domjes në strukturën e re do të ndryshonte statusin e bashkisë. Në këtë mënyrë, ai pretendoi se bashkia nuk do të konsiderohej më e njëjta njësi ekzistuese dhe Veliaj mund të kandidonte sërish.
Arbër Hitaj, nga ana tjetër, u shpreh se Erion Veliaj nuk do të jetë kandidati i Partisë Socialiste. Ai foli gjithashtu për përplasjen e mundshme mes kryebashkiakut dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë debatit u trajtuan edhe deklaratat e Veliajt për kërcënime ndaj jetës së tij, si dhe marrëdhënia me kryeministrin Rama.
Hitaj deklaroi se Veliaj e ka kuptuar tashmë se një pjesë e betejës politike dhe e sulmeve ndaj tij lidhen me Ramën. Sipas analistit, kjo histori mund të sjellë përplasje të tjera në të ardhmen.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Murrizi: Kjo është një përballje mes PPSH-së tradicionale dhe grupimit të Mjaftit. Me ndryshimin e hartës territoriale, Mazniku i ka bërë një favor Veliajt. Duke përfshirë dy njësi administrative, ai ka kapërcyer pengesën ligjore që e ndalonte kandidimin, pasi tashmë nuk bëhet fjalë për një bashki ekzistuese, por për një bashki të re.
Hitaj: Zoti Veliaj nuk do të jetë kandidat i Partisë Socialiste.
Murrizi: A ke biseduar me të? Erion Veliaj do të jetë kandidati i vetes, i pavarur dhe jashtë partisë. Mazniku ia ka hequr pengesën ligjore për tre mandatet. Me futjen e Rinasit dhe Domjes, kjo nuk është më e njëjta bashki. Për këtë arsye, unë shoh edhe një përplasje mes grupimit të Mjaftit dhe pjesës tjetër.
Hitaj: Zoti Veliaj ka thënë se kryeministri i kërcënon jetën. Ku mund të shkojë më tej se kaq?
Murrizi: Të njëjtën gjë e bëri edhe Kastriot Islami, kur militantët i shkuan te shtëpia… Një grup socialistësh…
Hitaj: Zoti Veliaj ka kaluar atë që mund të konsiderohet vija e kuqe e një deklarate. Ai ka thënë se Rama e ka dërguar në burgun e Fierit me porosi dhe jo SPAK-u. Ishte në Durrës dhe u transferua në Fier, sepse kështu vendosi kryeministri. Në atë moment Veliaj u bind se një pjesë e betejës politike dhe e sulmeve ndaj tij drejtohej nga zoti Rama. Tani Rama thotë se nuk do të merret me Veliajn, por çfarë lidhjeje ka ai me shkarkimet e Veliajt? Kjo nuk i takon kryeministrit. Megjithatë, nga sa duket, kjo është vetëm faza e parë dhe pritet të dalin edhe të tjera zhvillime. Veliaj po flet tani sepse ka kuptuar se një pjesë e persekutimeve ndaj tij i janë bërë nga zoti Rama.








