U dorëzuan ende pa filluar! Kush janë 5 deputetët që hoqën dorë nga mandati, a do të rezistojë Sali Berisha?

Kanë mbetur vetëm 8 ditë  nga nisja e Kuvendit të ri, i cili do të rikthejë kryeministrin Rama dhe qeverinë e tyre me një mandat të tretë.

Por ndërkohë që kryeministri Rama po përgadit qeverinë e 3 të tij për të qeverisur për 4 vite Shqipërinë, 5 kandidatë të dalë fitues nga zgjedhjet e 25 Prillit, hoqën dorë nga mandati i deputetit.

Ditën e djeshme, hoqi dorë nga mandati i fituar në qarkun e Durrësit edhe Lefter Koka. Me anë të një statusi në Facebook, ai bëri me dije se kërkesën  për dorëheqje tashmë e ka dorëzuar duke u arsyetuar se është koha për të mbyllur cikëlin e tij në politikë.

“Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.

Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!

Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë…”- shkruan Koka.

Vendin e tij në Kuvendin e ri pritet që ta zërë kandidati socialist, Denis Deliu i cili ka marrë 2848 vota.

Koka në zgjedhjet e 25 prillit ai garoi për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në Durrës dhe arriti të fitojë mandatin duke u renditur i 7-ti me mbi 9 mijë vota. Më herët Lefter Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit nën siglën e LSI-së, raporton albeu.com.

Mark Marku:

Ndërkohë që pritet që opozita të futet në Kuvend, bashkë me ish-kryeministrin Berisha, Mark Marku, i njohur si “demokrati i zjarrtë” braktisi pa nisur PD.

Largimi i Markut erdhi në një kohë kur askush nuk e priste dhe ngjalli debate dhe kritika të mëdha ndaj Partisë Demokratike.

“Është irrituese të shohësh se këto tre muaj, PD i është përgjigjur maskaradës së madhe me disa minimaskarada të ngjashme, veçse tashmë të zhvendosura nga skena kombëtare në një skenë më të vogël, në atë opozitare,” shkruan Marku mes të tjerash duke treguar thyerjen e madhe mes demokratëve.

Tom Doshi:

Kreu i PSD hoqi dorë vetëm pak orë pasi u shpall fitues si deputet në zonën e Shkodrës duke deklaruar se nuk do të futet në Kuvendin e Shqipërisë por do vazhdojë të jetë në kreun e partisë. Ai deklaroi se dy mandatet e tij, do ti kalohen kandidatëve në radhë për deputet duke deklaruar se është i hapur për marrëveshje me Partinë Socialiste. Rikujtojmë se edhe ish-deputeti Doshi është shpallur “non grata’ nga SHBA për përfshirje në korrupsion.

‘Unë i nënshkruari Tom Doshi, me vullnetin tim të lirë dhe të plotë, deklaroj se në datën 26 prill jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati im si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Deklaroj se, sot në datën 26 prill, jap gjithashtu dorëheqjen nga mandati im si deputet i fituar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe jap dorëheqjen nga lista shumëemërore e kandidatëve për deputet të PSD për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill…”

Gramoz Ruçi:

Kryetari i Kuvendit la detyrën e tij në Asamblenë e PS dhe deklaroi se heq dorë përfundimisht nga politika, duke dorëzuar kështu edhe mandatin e tij të fituar në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Tani unë zgjodha sot, se s’ka më mirë se 30-vjetori, që sot që kemi fituar mandatin e tretë, dhe që pas disa muajsh bëj 70 vjeç, se në 9 shtator nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS dhe qytetarët dhe s’do kem ambicie për asnjë post politik. Falënderoj më zemër çdo socialist. Sa të më punojë mendja dhe zemra do ngelem me ju”, u shpreh Ruçi.

Mandatin e lënë nga Ruçi do ta marrë Mirel Pitushi. Pas emra në listën e të përzgjedhurve të PS në qarkun e Fierit, Mirela Pitushi është një nga më të votuarat me vota preferenciale.

Najada Çomo:

Shefja e Infektivit, Çomo u bë pjesë e fushatës së PS në zgjedhjet e Prillit duke premtuar se do të jetë më pranë qytetarit si deputete duke u rënditur ndër të parat në listën e PS në Tiranë.

Pas fitores së sigurt të mandatit, falë rënditjes së dhënë nga PS, Çomo habiti me vendimin e fundit. Gjatë një mbledhje të qeverisë nga Rama për t’i dhënë lamtumirën mandatit të dytë, kryeministri deklaroi se shefja e Infektivit ka lënë mandatin.

Rama deklaroi se ka qënë vetë mjekja Çomo e cila i ka kërkuar kryeministrit dorëheqjen nga mandati me dëshirën për të qenë më afër mjekësisë në këto ditë të vështira nga varianti DELTA që ka përfshirë vendin sërish.

“Çomo më komunikoi largimin për të mos u ndarë nga skuadra e saj fantastike në Spitalin Infektiv, pikërisht në momentin kur varianti Delta i virusit nisi të rimbushë shtretërit e terapisë intensive. E falënderoj edhe publikisht për këtë shembull kuptimplotë të detyrës”,- tha Rama.

Çfarë do të ndodhë me Sali Berishën?

Ish-kryeministri Berisha arriti sërish të marrë një mandat deputeti dhe u shpreh që në ditët e para që do të jetë pjesë e Kuvendit. Vendimi I SHBA për të shpallur zyrtarisht dhe publikisht Berishën dhe familjen e tij “non grata” tronditi deri në themele Partinë Demokratike.

“Veprimet korruptive të ish-Presidentit Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Sot shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri….”- shkroi Blinken në Tëitter.

Menjëherë pas vendimit, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim zhvilloi disa takime intensive me kreun aktual të PD, Bashën, duke kërkuar hapur mos futjen e ish-kryeministrit Berisha në Kuvendin e ri të Shqipërisë.

Pavarësisht përpjekjeve të SHBA dhe Yuri Kim në Shqipëri, Berisha është shprehur se asnjë akuzë nuk është e vërtetë dhe se do të jetë pa dyshim, pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 2.09.2021 09:48