“Sekret shtetëror”, investigimi i BIRN: Historia pa lavdi e degradimit të flotës ajrore shqiptare

Aleati i vogël i NATO-s bleu një flotë të shtrenjtë helikopterësh “Cougar”, por nuk ia doli të garantojë mirëmbajtjen e saj, duke cenuar sigurinë e pilotëve dhe efikasitetin e forcave ajrore shqiptare në operacionet e emergjencave civile.

Mesditën e 27 majit në fshatin malor Shosh të Dukagjinit në skajin verior të Shqipërisë, një mision kontrolli për parcela ilegale kanabisi rrezikoi të kthehej në një tragjedi, pasi nënkomisari 54-vjeçar i policisë, Rrok Frroku u rrëzua dhe rrëshqiti në një humnerë.

Pas 12 orësh përpjekje, punonjësit e policisë dhe ato të forcave speciale RENEA arritën ta nxirrnin Frrokun e dëmtuar nga humnera. Por misioni i shpëtimit të tij zgjati më shumë se 24 orë dhe u realizua vetëm pas mbërritjes së një helikopteri të misionit paqeruajtës KFOR nga Kosova.

Një video e publikuar nga Policia e Shtetit tregon momentin kur Frroku, i ndihmuar nga një ushtarak i KFOR-it, tërhiqet me litarë në ajër drejt helikopterit që fluturonte pak metra mbi terrenin e thepisur si dhe uljen e tij në oborrin e spitalit të Traumës në Tiranë.

 

 

Operacioni i së shtunës nuk është rasti i vetëm kur emergjencat civile dhe ushtarake në Shqipëri marrin zgjidhje falë ndihmës së aleatëve të huaj, pavarësisht se vendi ka paguar një faturë të shtrenjtë për ngritjen dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve të veta ajrore.

Por arsenali më i kushtueshëm ushtarak i Shqipërisë – i përbërë nga helikopterët “Cougar” – ndodhet sot jashtë kufijve të vendit dhe jashtë funksionit, në pritje të riparimit të defekteve.

Kapacitetet operacionale ushtarake dhe kontratat e lidhura për qëllime të mirëfillta ushtarake janë të klasifikuara si “sekret shtetëror” në Shqipëri.

Por BIRN siguroi dokumente ekskluzive dhe intervistat me pilotë dhe ish-ushtarakë që tregojnë se të paktën prej vitit 2018, Ministria e Mbrojtjes ka dështuar që të garantojë mirëmbajtjen periodike të helikopterëve “Cougar”, duke cënuar sigurinë e pilotëve dhe efikasitetin e forcave ajrore shqiptare.

“Mirëmbajtja e mjeteve ajrore ka qenë gjithmonë një temë e nxehtë,” i tha BIRN Altin Lama, një pilot veteran dhe ish-drejtues i shkarkuar i bazës ajrore të Farkës.

“Abuzimi dhe rritja fiktive e çmimeve për shërbimet e nevojshme sjellin rritjen e kostos së shfrytëzimit në nivele të papërballueshme dhe si rrjedhojë lënien e mjeteve në tokë. Nga ana tjetër, qëndrimi në tokë për kohë të gjatë sjell si pasojë dyfishimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes,” shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se helikopterët “Cougar” janë larguar nga Shqipëria për shërbimet e mirëmbajtjes periodike, por nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte aktualisht në gatishmëri ndonjërin prej tyre.

“FARSH ka kontribuar efektivisht në operacionet e Emergjencave Civile, përfshirë mbështetjen ajrore që për situata të veçanta si ajo e vitit 2021 është përballuar edhe në bashkëpunim me partnerët,” tha Ministria e Mbrojtjes.

Flota ushtarake “Cougar”

Me anëtarësimin në NATO në shkurt të vitit 2009, Shqipëria ndryshoi politikën e saj ushtarake dhe synoi të modernizonte flotën e vet ajrore, e cila përbëhej kryesisht nga avionë të vjetër sovjetikë dhe kinezë të trashëguar nga regjimi komunist.

Në shkurt 2010, parlamenti miratoi një kontratë të negociuar nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha për blerjen e helikopterëve ushtarakë nga kompania franceze “Eurocopter” – sot “Airbus Helicopters” për një çmim total prej 78.6 milionë eurosh.

Marrëveshja parashikonte blerjen e pesë helikopterëve AS 532 AL Cougar – një nga versionet ushtarake të familjes Super Puma. Ajo përfshinte gjithashtu blerjen e pjesëve të këmbimit me vlerë 1.9 milionë euro si dhe trajnimin e 12 pilotëve dhe pesë teknikëve për një vlerë prej 11.4 milionë eurosh.

Helikopterët pritej të mbërrinin në Shqipëri brenda një periudhe 4-vjeçare dhe në korrik të vitit 2012, në komandën e bazës ajrore të Rinasit u shtrua tapeti i kuq për ceremoninë e mbërritjes së helikopterit të parë të konfigurimit VIP.

Por nga Franca mbërriti lajmi i keq i një aksidenti ajror me gjashtë viktima.

Në testimet e fundit përpara dorëzimit në Shqipëri, helikopteri VIP u rrëzua pranë një lumi në Alpe, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë anëtarëve të ekuipazhit.

Aksidenti ajror solli amendimin e kontratës, ku Shqipëria kërkoi që helikopteri VIP të këmbehej për të njëjtin çmim me dy helikopterë më të lehtë të tipit EC 145, të cilët shërbejnë për emergjenca mjekësore si dhe për operacione kërkim-shpëtimi.

Porosia mbeti e pandryshuar për katër helikopterët e tjerë “Cougar” – një me konfigurim Combat SAR, një MEDEVAC dhe dy të tjerë për përdorim shumëfunksional, të cilët mbërritën njëri pas tjetrit në Shqipëri deri në fund të vitit 2015.

Por më 6 prill 2016, një tjetër aksident ajror tronditi forcat ushtarake shqiptare, kur njëri prej helikopterëve EC 145 u rrëzua në liqenin e Shkodrës gjatë një fluturimi stërvitor, duke shkaktuar vdekjen e kapitenit Florian Deliaj dhe togerit Donald Hoxha. Një pilot i tretë në bord i mbijetoi aksidentit.

Përveç kostove fillestare prej dhjetramilionë eurosh për blerjen e helikopterëve “Cougar” dhe trajnimin e ekuipazhit, Ministria e Mbrojtjes shpenzon para shtesë për mirëmbajtjen dhe sigurimin e flotës së vet ajrore.

Përgjatë viteve 2014-2018, mirëmbajtja u sigurua përmes një kontrate me kompaninë italiane “Eurocopter Italia” të certifikuar nga prodhuesi dhe kostot totale të kësaj kontrate mbeten të panjohura.

Sipas një raporti auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i kryer pas emergjencës së shkaktuar nga zjarret në verën e vitit 2021, Ministria e Mbrojtjes shpenzoi 1.2 milionë euro për riparimin e defekteve në tre nga katër helikopterët “Cougar” si dhe 296.7 milionë lekë [2.44 milionë euro] për siguracionet e tyre nga fillimi i vitit 2018 deri në qershor të vitit 2021.

Një seri kontratash të tjera mirëmbajtjeje prej qindramijëra eurosh u firmosën nga Ministria e Mbrojtjes pas vitit 2018, por mbetën për një kohë të gjatë të pazbatuara për shkak të problemeve që lidheshin me transportin apo peripeci të tjera.

Gjatë verës së vitit 2021, kriza e mosrealizimit të kontratave doli në sipërfaqe, pasi Shqipëria kishte vetëm një helikopter “Cougar” në gatishmëri për të përballuar emergjencën me zjarret.

“Gjendja e mangët operacionale e helikopterëve të Forcave të Armatosura të destinuara për emergjencat civile (zjarret) ka krijuar boshllëk në kryerjen e operacioneve të shuarjes së zjarreve,” vlerëson KLSH, e cila i rekomandoi Ministrisë së Mbrojtjes ta realizonte shërbimin e mirëmbajtjes së helikopterëve nëpërmjet NATO-s.

Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN se kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve “Cougar” janë janë kryer në respektim të procedurave ligjore në fuqi për prokurimet në fushën e mbrojtjes.

“Kompanitë e mirëmbajtjes janë kompani të licensuara për këtë qëllim nga “Airbus Helicopters” dhe disponojnë certifikatat EASA [European Aviation Safety Agency],” deklaroi Ministria.

Konflikte për mirëmbajtjen

Altin Lama ka shërbyer për 24 vjet si pilot, inspektor dhe drejtues në forcat ajrore, përpara se të shkarkohej pas aksidentit ajror të vitit 2016 për “shkelje të rënda të disiplinës” – akuzë të cilin ai e ka kundërshtuar në gjykatë.

Karriera e tij ushtarake dëshmon tranzicionin e forcave ajrore shqiptare: ai e nisi shërbimin me avionët sovjetikë JAK 18 dhe e mbylli atë me helikopterët modernë “Cougar”.

Lama ishte gjithashtu komandant i bazës ajrore të Farkës në vitet 2013-2014 dhe kujton përplasjet e para për mirëmbajtjen e helikopterëve “Cougar”.

“Gjatë kohës që kam qenë drejtues ka patur debate të shumta me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes për problemet e mirëmbajtjes, pas përpjekjeve për të kryer mirëmbajtje nga kompani të pakontraktuara dhe pa procedurë të mbështetur në ligj,” tha Lama për BIRN.

“Finalja e kësaj përplasjeje ishte largimi im nga pozicioni i komandantit të bazës,” shtoi ai.

Helikopterët nuk janë një mall i zakonshëm ushtarak; ata udhëhiqen nga manualet e tyre të përdorimit dhe kërkojnë mirëmbajtje periodike të kushtueshme. Protokollet e sigurisë duhet gjithashtu të ndjekin standardet e NATO-s; si për pjesët e këmbimit ashtu edhe për kompanitë e certifikuara.

Në vitin 2014, Ministria e Mbrojtjes kontraktoi kompaninë italiane “Eurocopter Italia” të licensuar nga kompania prodhuese dhe vendosi ngritjen e qendrës së mirëmbajtjes së helikopterëve në një hangar prej 200 metrash katrorë pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Përveç flotës së helikopterëve “Cougar”, kontrata parashikonte edhe mirëmbajtjen e helikopterëve të tjerë të Forcave të Armatosura.

Kolonel Kuto Hasani, komandant i bazës ajrore të Farkës përgjatë viteve 2014-2019, sot ushtarak në lirim, i tha BIRN se procesi i mirëmbajtjes funksionoi pa probleme për gati pesë vite në qendrën e hapur në Rinas.

“U bë kontratë afatgjatë me të drejtë rinovimi çdo vit dhe në muajin janar nxirrnim çfarë shërbimesh na duheshin dhe ata vinin kur na duheshin ne,” kujton Hasani për BIRN.

“Për pesë vjet qëndruan, pra mirëmbajtje dhe trajnim dhe ne ndërkohë trajnonim stafin se si të mirëmbahej,” shtoi ai.

Por vjeshtën e vitit 2018, Ministria e Mbrojtjes refuzoi ta paguante faturën.

“Isha komandant i bazës ajrore dhe megjithëse ishin riparuar helikopterët, nuk ishin bërë pagesat,” kujton Hasani. “Pagesat nuk u realizuan as në shtator dhe as në tetor dhe fatura shkonte rreth 1 milion euro,” shtoi ai.

Konflikti u thellua edhe përgjatë vitit 2019, kur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave Ajrore ndërmori një audit financiar ndaj bazës që drejtohej nga Hasani mbi orët shtesë të teknikëve dhe pjesët e këmbimit të helikopterëve.

E ngecur mes kontratash që nuk zbatoheshin, Ministria e Mbrojtjes e prishi kontratën me “Eurocopter Italia” dhe lidhi një kontratë të re mirëmbajtjeje me kompaninë franceze “Airtelis”, e cila sipas Hasanit nuk ishte e licensuar nga kompania prodhuese “Airbus Helicopters”.

Një problem i dytë lindi shumë shpejt; helikopterët duhej të transportoheshin me maune në Francë për remont.

Një ulje emergjente 

Kontrata mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë franceze “Airtelis” u firmos më 10 tetor të vitit 2019 me një kosto prej 435 mijë eurosh. Mes helikopterëve të planifikuar për t’u riparuar ishte edhe Cougar-i më i kushtueshëm i konfigurimit Combat SAR, që mban numrin e kabinës 631.

Pas 282 orësh fluturimi në Shqipëri, helikopteri u dërgua me maune në Francë për remont. Por më 29 korrik 2020, ndërsa ishte në rrugën e kthimit pas riparimit, helikopteri me dy pilotë dhe dy teknikë në bord u detyrua të bënte një ulje emergjente në Itali.

Njëri prej anëtarëve të ekuipazhit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se fluturimi kishte shkuar mirë deri në Firence, por pas tre orësh, ata vërejtën me shqetësim rritjen e temperaturës në kabinë.

Ekuipazhi e lajmëroi në kohë problemin dhe nuk u hap alarmi SOS. Ata mundën ta ulnin helikopterin në një fushë me grurë pranë qytezës Poppi në komunën e Arezzos në Italinë e Veriut.

“Nuk të shkon mendja asgjë, vetëm të ulesh,” tha një anëtar i ekuipazhit duke kujtuar momentet e vështira. “Kur mbërritëm, përqafuam njëri-tjetrin që nuk shkaktuam asnjë pasojë,” shtoi ai.

Prej korrikut 2020, helikopteri Combat SAR ka mbetur në një magazinë zjarrfikësesh në Itali dhe po i sjell vendit kosto të tjera shtesë për t’u inspektuar dhe riparuar.

Më 26 prill 2021, Ministria e Mbrojtjes lidhi një kontratë prej 112 mijë eurosh me kompaninë italiane “Helicopters Italia” për inspektimin e defektit që shkaktoi uljen e detyruar, ku bëjnë pjesë edhe shpenzimet e stacionimit.

Përmes një raporti auditi, KLSH e ka vlerësuar shumën e mësipërme si një dëm ekonomik dhe kërkon që ajo të zbritet nga pagesa për kompaninë franceze “Airtelis”.

Ndërkohë, për pilotët e forcave ajrore, ngjarje të tilla janë burim pasigurie dhe rreziku.

“Ne nuk ngrihemi në ajër pa pyetur ‘a do vish me mua’ – e pyesim përherë ekuipazhin,” tha pjesëtari i Forcës Ajrore me të cilin foli BIRN, duke theksuar rrezikun me të cilën përballen ekuipazhet për shkak të mungesës së remontit.

“Dyshoj se kompania nuk i kishte kryer punimet siç duhej të bëheshin,” aludoi ai për defektin që e uli helikopterin “Cougar” në Itali.

Pa kapacitete

Pas incidentit të ndodhur në Arezzo, Ministria e Mbrojtjes e ngriu kontratën me kompaninë franceze “Airtelis” dhe eksploroi mundësi të tjera.

Më 31 dhjetor 2020, ajo nënshkroi një kontratë mirëmbajtjeje me kompaninë polake Heli-One për riparimin e dy helikopterëve “Cougar” me numër bordi 632 dhe 634 në vlerat respektive 135,610 euro dhe 176,090 euro.

Megjithatë, dy helikopterët qëndruan për më shumë se një vit në hangar për shkak të vështirësive të transportit të tyre drejt Polonisë, deri sa në fillim të gushtit 2021 kriza e mirëmbajtjes së helikopterëve “Cougar” doli zbuluar.

Me një helikopter të parkuar në Itali dhe dy të tjerë me defekt, shpërthimi i vatrave të zjarrit në gadishullin e Karaburunit dhe avancimi i tyre drejt parkut kombëtar të Llogarasë e gjeti Shqipërinë të papërgatitur.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se përballë kërkesave nga autoritetet vendore për ndërhyrje nga ajri, drejtuesit e strukturave të mbrojtjes civile në Ministrinë e Mbrojtjes u përgjigjën se nuk kishin kapacitete të mjaftueshme, pasi kishte mbetur në gjendje operacionale “vetëm një helikopter Cougar.”

Një ushtarak në dijeni të operacionit për shuarjen e zjarrit i tha BIRN se urdhri për ngritjen në ajër të helikopterit të vetëm “Cougar” u shoqërua gjithashtu me debate, ndërsa mjeti fluturoi për 130 orë për të shuar vatrat e zjarrit në Karaburun, Tomorr, Kukës dhe Gjirokastër.

“Ishte tensionuese të shikoje teknikun dhe pilotin, që rrezikuan në këtë mision me Cougarin 633, që pati si qendër operacionale bazën e Karaburunit,” tha ushtaraku, i cili foli në kushtet e anonimatit nga droja e ndonjë ndëshkimi të mundshëm.

Ai renditi një numër misionesh kur helikopterët janë ngritur në ajër pa remontin e domosdoshëm dhe shtoi shkurt: “kjo ndodhi dhe ato ditë”.

Përveç mungesës së kapaciteteve ajrore, ai thekson se operacioni u përball edhe me kapacitete të kufizuara njerëzore.

“Ishin vetëm dy persona dhe vështirësia ishte shumë dimensionale,” kujtoi ushtaraku i FARSH, ndërsa theksoi se përtej orëve të zgjatura të fluturimit, në bordin e helikopterit gjendej vetëm një teknik i kualifikuar për zjarret.

“Teknikët punonin gjatë natës për të vetmin mjet fluturues, që në pesë të mëngjesit të ishte gati,” shtoi ai.

Një pilot i FARSH, i cili foli në kushtet e anonimatit, e vlerësoi lart profesionalizmin e ekuipazheve të helikopterëve ‘Cougar’.

“Unë do t’i përgëzoja për burrërinë që kanë kur thonë se ky helikopter nuk do të fluturojë, sepse rrezikon,” tha ai. “Nuk është vetëm jeta e atij që fluturon, por edhe jeta e atyre poshtë që do t’u bjerë mbi kokë”.

Mbas emergjencës së zjarreve, helikopteri ‘Cougar’ me numër kabine 633 u dërgua për remont në Zvicër.

Për të përballuar emergjencën me zjarret, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kontraktoi me urgjencë edhe një kompani private helikopterësh me një faturë financiare prej 36 milionë lekësh.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron këtë kontratë dëm ekonomik në raportin e autitit të kryer për emergjencat civile, pavarësisht se vendimmarrja buronte nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti i Mbrojtjes Civile.

“Shpenzimi për blerjen e shërbimit me dy helikopterë nga shoqëria Viva Helicopters nuk do të ishte kryer, nëse Ministria e Mbrojtjes do të kishte përdorur kapacitetet e veta operacionale,” thuhet në raportin e KLSH-së.

KLSH rekomandoi korrigjimin e praktikës së mirëmbajtjes së helikopterëve, me qëllim uljen në të ardhmen të kostove të operacioneve të emergjencave civile.

Largimi i ushtarakëve

Problemet me mirëmbajtjen e helikopterëve “Cougar” nuk janë të vetmet me të cilat përballen forcat ajrore shqiptare. Paralelisht, një pjesë e pilotëve veteranë dhe teknikëve të trajnuar në kurse të shtrenjta në Britaninë e Madhe dhe Francë janë larguar tashmë nga flota.

Një nga ish-zyrtarët e lartë, i larguar nga forcat e armatosura i tha BIRN në kushtet e anonimatit se shteti shqiptar nuk kishte mundur t’i mbante specialistët, ndonëse kishte paguar shtrenjtë për trajnimin e tyre.

“U përzgjodhën efektivët fluturues nga një instruktor anglez… dhe me lekët e shtetit shqiptar u dërguan në Angli. Mbaroi trajnimi në mënyrë shembullore dhe me lekët e shtetit shqiptar u dërguan në Francë për specializimin për tipin e veçantë Cougar nga Eurocopter, atje ku u prodhua,” shpjegoi ish-zyrtari.

Si pasojë, stafi prej 12 pilotësh dhe pesë teknikësh që u trajnuan për pilotimin e helikopterëve “Cougar” thuajse është përgjysmuar.

“Kemi mbetur gjashtë pilotë të Cougar-ve dhe dy teknikë nga ai grup. Të tjerët janë larguar,” i tha BIRN njëri prej pilotëve që vazhdon të punojë për forcat ajrore të Shqipërisë.

Altin Lama është njëri prej pilotëve që kaloi dy cikle të plota trajnimi si pilot dhe instruktor i helikopterëve “Cougar” nga kompania Airbus në Francë dhe si pilot SAR në Angli.

Pas shkarkimit nga forcat e armatosura, ai punon me kohë të pjesshme si përkthyes i telenovelave turke në një televizion kombëtar.

Lama tha se gjendja e tij ekonomike është tani më e mirë se në kohën kur punonte si ushtarak, por nënvizon se shteti ka dalë krejtësisht i humbur nga largimi i specialistëve.

“Mendoj se largimi apo demotivimi i specialistëve nga papërgjegjshmëria e drejtuesit politik të radhës dëmton më shumë shtetin që investon për zhvillimin e personelit se sa individin që largohet,” përfundoi ai./reporter/