Me çmimet që po rriten me shpejtësi, shumë të punësuar kanë parë një rënie reale të të ardhurave të tyre në tremujorin e dytë të këtij viti.
INSTAT bëri të ditur se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2022, është 60.666 lekë, duke u rritur me 7,0% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Në të njëjtën periudhë inflacioni mesatar ishte 6.8%, sipas INSTAT (6.2% në prill, 6.7% në maj dhe 7.4% në qershor), çka bën që rritja reale e pagave të ketë qenë pothuajse zero në të njëjtën periudhë.
Për pesë grup profesione, nga 10 të tilla që raporton INSTAT, rritja reale e pagave , e indeksuar me inflacionin ishte negative, çka do të thotë se me të njëjtën sasi të ardhurash familjarët dhe individët po blejnë më pak produktet.
- Forcat e armatosura. Për këtë grup profesion, paga mesatare mujore bruto në tremujorin e dytë 2022 ishte 65.4 mijë lekë. Edhe në vlerë nominale, paga ka rënë me 0.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa e indeksuar me inflacionit, paga e ushtarakëve është 7.3% më e ulët.
- Menaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë janë grup profesioni i paguar më shumë në vend, që marrin mesatarisht 102.1 mijë lekë në muaj. Në vlerë nominale, paga e këtij grupi u rrit me 3.4% në tremujorin e dytë me bazë vjetore, por e indeksuar me inflacioni ka një rënie reale prek 3.4%.
- Specialistë me arsim të lartë (profesionistë). Arsimi i lartë nuk duket se po vlen dhe aq shumë në Shqipëri. Paga mesatare e kësaj kategorie ishte gati 80 mijë lekë në tremujorin e dytë, me një rënie reale prej 2.2%.
- Teknikë dhe specialistë në zbatim paguheshin 67.3 mijë lekë, me rënie reale 0.8%.
- Për punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve, të ardhurat mujore nga paga ranë me 0.7%.
Për nëpunësit rritja reale ishte minimale, me 0.8%.
Pagat rriten për profesionet më pak të kualifikuara dhe ndërtimin
Të rinjtë po preferojnë të ikin, sesa të punojnë në profesiona të kualifikuara ku paguhen pak. Shumë sektorë, me në krye ndërtimin dhe fasonin po vuajnë sot mungesën e punonjësve. Kjo po çon në një rritje më të lartë të pagave të këtyre gruprofesioneve. Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve panë rritjen më të lartë reale të pagave me 8%, të udhëhequr nga ndërtimi. Ky grup profesion paguhet tani mesatarisht me 45.5 mijë lekë në muaj.
Për Punëtorët (Profesione elementare), rritja reale ishte 5.8%, por ata mbeten më pak të mirë paguarit në vend, me 38.6 mijë lekë në muaj. Për Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit, rritja reale ishte 5.2% dhe Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to, me 4.2%.
Administrata më e humbura nga rritja e çmimeve
“Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” është i vetmi grup aktiviteti ekonomi që nuk ka shënuar as rritje nominale të pagave, ndërsa e indeksuar me inflacionin rënia është -7.3%. Paga mesatare në administratë ishte 68.4 mijë lekë në tremujorin e dytë, e pandryshuar në vlerë nominale në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor