E ëma e kantautorit të njohur Pirro Çakos, Luiza Papa ka qenë një nga femrat më të bukura shqiptare të viteve ’60. Luizën e përshkruajnë si vajzën që të gjithë kthenin kokën kur ajo kalonte. Ishte e bukur por dhe me shumë stil në të veshur aq sa femrat e Tiranës e kopjonin.
Në një nga intervistat e njohura me këngëtarin Pirro Çako i them me mirëdashje që ai ka qenë me shumë fat në jetë. Është rritur me një nënë aq të bukur, sa kur kalonte ajo e gjithë Tirana kthente kokën. Ishte gruaja më e bukur e kryeqytetit. Pirro qeshi dhe më tha që ishte e vërtetë. “Ka qenë me të vërtet një sensacion i bukur të rriteshe me një grua që çdo mëngjes ngjante si një engjëll.
Dhe në fakt kjo ishte e vërtetë. Gruaja me emrin Luiza Papa shquhej për veshje të veçanta tërë elegancë, për stilin e saj perëndimor dhe për topuzin e famshëm që gjithnjë e ka pasur të veçantë dhe i jepte hir mbretëreshe. Dhe përveç kësaj kishte një trup të skalitur qe te gjithe e krahasonin me Sophia Loren dhe një fytyrë të harmonishme dhe mrekullisht të bukur si një divë kinemaje.
Pas fejesës më Gaqo Çakon ajo filloi të bëhej më fanatike për veshjen . Duke qenë se fati e kish lidhur me një emër të lakmuar të botës muzikore, një prej tenorëve më të mirë shqiptarë ajo filloi të ishte më e kujdesshme për pamjen e saj të jashtme. Trend i asaj kohe ishte një tualet i thjeshtë dhe një e veçantë që ajo e kish ruajtur gjithmonë: flokët topuz. Një model flokësh që gjithnjë i ka dhënë pamje mbretërore dhe aristokratike.
Sot Luiza është tek të tetëdhjetat por dhe pse rrudhat i janë shfaqur mban akoma aureolën mbretërore të saj dhe duket si gjithnjë fisnike. Gaqoja është 3 vjet më i madh se ajo dhe janë njohur në lice kur shkolloheshin të dy. Gaqo dallohej që në lice për talentin e tij dhe të gjithë e admironin.
Me Gaqon fillimisht kishin një miqësi të pastër e të sinqertë. Dashuria mes tyre lindi kur shkuan në Rusi kur ishin të dy për studime. Ditët e pushimit dilnin të dy bashkë në qytet, diskutonin, flisnin dhe thurnin plane për të ardhmen. Në Rusi kishte femra shumë të bukura, por me kalimin e kohës ato gjenin gjithnjë gjëra të përbashkëta dhe shpejt arritën në idenë se ishin të prerë për njëri-tjetrin. Dhe një ditë prej ditësh Gaqo i shprehu dashurinë.
Dhe kështu sapo u kthyen nga Rusia u martuan. Ishte viti 1963. Filluan punë në Teatrin e Operas dhe atje bënë një karrierë të lavdërueshme.
Por ishte e çuditshme sepse siç ishte zakon në Shqipërinë e asaj kohe ajo kishte një cen në biografi. Në atë kohë ishte problem i madh por ajo u tregua e sinqertë me shokun e saj. “Dashura është më e fortë se biografia”, u shpreh Gaqoja, dhe u mbyll ai muhabet.
Një familje artistësh që gjithë jetën kanë bërë bujë me karrierën e tyre dhe kanë lënë një shije pozitive tek të gjithë me gjithçka që arritën në jetë.
Mjeshtri i madh i muzikës, Gaqo Çako ndërroi jetë në banesën e tij në Tiranë mbrëmjen e 1 gushtit 2018 në moshën 83-vjeçare.