Drejtimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Vasili: Nuk kemi diskutuar me emra me Berishën

Ditën e djeshme në media qarkulloi një lajm ku pretendohej se kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i ka propozuar emrin e tij ish-kryeministrit Sali Berisha për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Për këtë çështje, deputeti i PL-së, Petrit Vasili thotë se është një lajm i rremë nga portalet qeveritare që tentojnë të zbehin rëndësinë e marrëveshjes së arritur me Partinë Demokratike.

Sipas tij, gjatë diskutimeve që u zhvilluan mes Berishës dhe Metës, nuk është diskutuar për emra konkretë, por vetëm për rëndësinë e një përfaqësimi sa më dinjitoz në këshill.

Vasili: Kur ka marrëveshje kaq të mëdha, që u quajtën historike, përpiqen portalet qeveritare të dirigjuara nga Fuga me shokë të prodhojnë një lajm të rremë për të zbehur thelbin e marrëveshjes. Unë jam një nga katër personat që u diskutua pr.marrëveshja, ishte edhe Meta, Berisha, unë dhe Flamur Noka. Në asnjë rast nuk është diskutuar një çështje e tillë, por është diskutuar që këshillat bashkiakë të kenë një profil të lartë të përfaqësimit.

Nga lista e atyre që do të propozojmë, që do të jenë kandidatura të shkëlqyera, të zgjidhen personalitetet më të spikatura për të drejtuar këto këshilla që të garantojnë llogaridhënien. Ju sot nuk kujtoni dot kush është kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Emrat e përveçëm janë fantazi”.