U infektua me Covid gjatë pritjes së ëmbël, si është gjendja shëndetësore e Almeda Abazit

Aktorja e njohur shqiptare, Almeda Abazi është në pritje të ëmbël dhe shumë shpejt do të bëhet nënë për herë të dytë.

Së fundmi ajo ka njoftuar se së bashku me partnerin e saj, aktorin Tolgahan Sayisman, janë infektuar me Covid-19.

Kujtojmë se para disa ditësh aktori turk, Tolgahan Sayisman, zbuloi se është prekur nga Covid-19. Përmes një postimi në Instagram ai bëri të ditur se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar dhe për këtë arsye u detyrua të shtrohet në spital.

“Sapo mësova se jam infektuar me Covid-19. Jam trajtuar në shtëpi për pak kohë. Testi i fundit që bëra rezultoi pozitiv. Mutacioni i ri i koronavirusit në fillim mund të mos dalë pozitiv në test. Ne vendosëm që të vazhdojmë trajtimin në spital. Tregoni kujdes”, shkroi Tolgahan.

Pas deklaratës së aktorit të gjithë u shqetësuan për shëndetin e familjarëve të tij, Almeda Abazin dhe të voglin e tyre, Efehan. Kështu, bukuroshja shqiptare ka treguar ditë më parë se ç’po ndodh me ta dhe si është gjendja e Tolgahan. Almeda ka thënë se pas testeve të gjithë anëtarët e familjes kanë rezultuar pozitiv dhe se aktori ka dalë nga spitali e po vazhdon trajtimin në shtëpi.

Ndërkohë pak orë më parë, Almeda ka ndarë me ndjekësit gjendjen e saj shëndetësore teksa shihet duke marrë ajër në natyrë.

“Më në fund ndjehem pak më mirë sot, faleminderit të gjithëve që keni pyetur”, ka shkruar ajo.


Shtuar 3.04.2021 09:21