Dua Lipa ka regjistruar një album të ri përpara turneut të saj të parë në stadiume.
Këngëtarja e hitit “One Kiss”, 29 vjeçe, ka regjistruar këngët e albumit të saj të ri live në koncertin e mbajtur në ‘Royal Albert Hall’ në tetor, sipas tabloidit britanik The Sun.
Ky projekt i fundit pritet të publikohet brenda disa javësh dhe do të paraqesë shkëlqimin e orkestrës “Heritage” me 53 instrumentistë, një kor me 14 zëra dhe një grup muzikor prej shtatë anëtarësh, shkruan DailyMail.
Një burim për The Sun tha: “Dua deshi t’u japë fansave diçka në shenjë falënderimi pas një viti të mrekullueshëm. Ajo ka eksperimentuar me publikime live më parë, siç është performanca në ‘Brit Awards’, por kjo është hera e parë që do të publikojë një album të plotë live”.
Pritet që albumi të shpallet si projekt i ardhshëm në javët në vijim.
Në këtë ngjarje speciale, Dua u bashkua në skenë me Elton John, në interpretimin e duetit të tyre, “Cold Heart”.
Vitin e kaluar, Dua kishte thënë se nuk iu bashkua Eltonit në skenë në Glastonbury sepse po “priste në darkë miqtë e saj”.
Ky projekt i fundit i saj vjen pasi ajo shpalli datat e turneut të saj të ri global për vitin 2025 për albumin e saj më të fundit, “Radical Optimism”. Fituesja e trefishtë e çmimit “Grammy” dhe e shtatëfishtë e çmimit “Brit” do të udhëtojë në më shumë se 40 qytete në Australi, Zelandë të Re, Amerikën e Veriut, Evropë dhe Britani vitin e ardhshëm.
Ndërsa karriera e saj vazhdon të rritet me hapa të mëdhenj, ky turne vjen pas debutimit të saj shumë të pritur si këngëtarja kryesore në skenën e festivalit “Glastonbury” gjatë verës së kaluar. Pas performancës së saj elektrizuese në “Glastonbury”, ajo shiti menjëherë biletat për dy netë radhazi në Stadiumin “Wembley” në Londër për qershorin e 2025-ës.
Dua ka arritur një kulm të ri në karrierën e saj, me kërkesën e fansave në nivel të lartë, dhe ka ndarë në Instagram lajmin se do të ketë edhe më shumë data të reja për turneun.
Turneu “Radical Optimism” do të nisë këtë vjeshtë me disa shfaqje në Azi, duke përfshirë koncerte në Singapor, Xhakarta, Tokio dhe Kuala Lumpur. Do të përfundojë më 5 dhjetor në Seul, Kore, në Gocheok Sky Dome.
Datat për vitin 2025 fillojnë më 20 mars në Melbourne, Australi, në Rod Laver Arena dhe përfshijnë performanca në Sydney, Auckland, Madrid, Hamburg, Paris, Amsterdam, Londër dhe Dublin. Më pas do të vazhdojë në qytetet si Toronto, Chicago, New York, Miami, Los Angeles, dhe shumë të tjera për të përfunduar më 16 tetor në Climate Pledge Arena në Seattle.
Përpara fillimit të turneut në Azi, Dua do të jetë kryefjalë në Austin City Limits në Austin, Texas, më 5 dhe 12 tetor.
Një burim i tha The Sun: “Turneu i fundit i [Duas] ishte thuajse i tëri i shitur, por ishte një turne në arenat e mbyllura. Të kalojë nga arenat në stadiume është një arritje e mrekullueshme, veçanërisht kur është vetëm në albumin e saj të tretë”.
Më herët këtë vit, Dua foli për vetëbesimin e ri që ka fituar gjatë një interviste me Zane Lowe, përpara publikimit të albumit “Radical Optimism”.
Ajo kujtoi: “Më në fund jam në një pikë në karrierën time ku ndjehem vërtet e sigurt. M’u desh shumë kohë për të arritur këtu”.
Ajo gjithashtu pranoi se për të, të shkruarit këngë është një formë terapie. “Të shkruash/kompozosh këto këngë është një terapi për mua. Është diçka shumë e ndjeshme, t’i kthesh mendimet e tua në melodi dhe pastaj ato të konsumohen nga të tjerët”.
Ikona e pop-it gjithashtu zbuloi se e kishte ditur titullin e albumit të saj që në fillim. “Unë e dija titullin ‘Radical Optimism’. Ishte një term që një mik më tha gjatë një interviste dhe më tha, ‘E di çfarë i duhet botës? Një optimizëm radikal’. E mbajta këtë mendim për shumë kohë dhe me kalimin e kohës u bë gjithnjë e më i rëndësishëm për mua”.