Me 41.6% të të gjitha foshnjave të lindura në Maqedoninë e Veriut, Shkupi vijon të mbajë peshën kryesore të lindjeve në nivel vendi. Në anën tjetër, sipas shifrave të Entit të Statistikave, Maqedonia Lindore renditet me përqindjen më të ulët, vetëm 6.1%.
Të lidhura
None found
Sociologu Lulzim Murtezani e lidh këtë dallim me përqendrimin e vazhdueshëm të qytetarëve në kryeqytet, për shkak të kushteve më të favorshme për zhvillim. Sipas tij, kjo lë qytetet e tjera me natalitet më të ulët.
“Në kryeqytet kemi një tendencë që nataliteti të jetë stabil, në rritje e sipër. P.sh në kryeqytet me siguri që koncentrohen, vërshojnë nga shumë qytete në vende rurale për arsye se do të gjejnë më shumë mundësi shkollim njerëzit, mundësi për punësim dhe kemi më shumë rritje të popullsisë”, tha Murtezani.
Ai theksoi gjithashtu se, në përgjithësi, një nga arsyet kryesore të rënies së numrit të lindjeve mbetet gjendja e dobët ekonomike. Sipas tij, në këtë kohë krize, siç e cilëson ai, kostoja për investimin në edukimin e fëmijëve është e lartë. Krahas kësaj, ai përmendi edhe prirjen për migrim.
“Një faktorë tjetër është edhe ndryshimi i rolit të gruas në shoqëri. Gruaja moderne insiston në pavarësinë e saj në karrierë në përfshirjen në tregun e punës dhe normalisht këto ndryshime bëjnë që të prolongohet faza e martesës, periudha e martesës, po ashtu të ketë edhe shumë dilema në atë sesa fëmijë do të ketë një familje”, deklaroi Murtezani.
Nga të dhënat rezulton gjithashtu se Rajoni i Shkupit ka përqindjen më të lartë të numrit të përgjithshëm të vdekjeve, me 30.4%, ndërsa Rajoni Verilindor paraqet pjesën më të ulët me 8.0%.
Në zonat urbane shënohet niveli më i lartë si i martesave, me 55.0%, ashtu edhe i divorceve, me 65.8%.
Sa i takon migrimeve ndërfshatra, pjesa më e lartë evidentohet në Rajonin e Pollogut me 50.9%, në krahasim me migrimet ndërqytetas që arrijnë në 2.7%./TV21/

