Pas publikimit të emrave të ministrave, Qeveria po hyn në fazën përfundimtare të riformatimit. Megjithatë, janë shtuar dilemat nëse ky ndryshim i kabinetit në mes të mandatit do të prodhojë rezultate, sidomos sa i takon mbylljes së çështjeve shqiptare.
Të lidhura
None found
Profesori universitar Bashkim Selmani vlerëson se, pa një strategji të qartë, vendi nuk pritet të ketë ndryshime të ndjeshme, ndërsa thekson se sfida kryesore vazhdon të jetë niveli i lartë i borxhit publik.
“Vetëm sa kemi ndërrime të personave, por strategjia, vjetërsimi, borxhet publike të qytetarëve, kriza ekonomike janë faktorë të cilët qeveria nuk është duke i mënjanuar ose zbutur. Kjo e bën problemin bazë me të cilën çfarëdo individi, çfarëdo qeverie që të vijë ose çfarëdo ministri që të jetë, nuk është ndonjë çështje që mund të presim ndonjë efektivitet për sa i përket shtetit.” – tha Profesori universitar, Bashkim Selmani.
Duke u ndalur edhe te kalimi i ministrive të drejtësisë, kulturës dhe marrëdhënieve midis bashkësive te VLEN, Selmani thekson se mungon një platformë konkrete për mënyrën se si duhet vepruar.
“Shqiptarët nuk kanë ndërtuar një platformë bazë, se cilat institucione kanë prioritet dhe çduhet bërë. Prandaj më tepër e shoh si reformatim personal ose të subjekteve të caktuara. Mirëpo, nga ana tjetër nuk kemi matje të rezultateve se çfarë do të ndryshonim për qytetarët se brenda dy viteve shohim ndryshime të caktuara partiake të subjeketeve, dhe nga ana tjetër detyrimet, të drejtat, angazhimet e qytetarëve nuk u jepet komoditete, institucionet nuk janë funksionale sepse çdonjëra nga këto ka borxhe publike.” – u shpreh Profesori universitar, Bashkim Selmani.
Ndërkohë, propozimi për kabinetin e riformatuar qeveritar pritet të hidhet në votim në kuvend deri kah mesi i muajit.
Sipas ndarjes së re, VLEN-i do të udhëheqë Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive me Agon Feratin. Deri tani këtë post e mbante Ivan Stoillkoviq, i cili do të kalojë në detyrën e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.
Po ashtu, VLEN-i ka marrë Ministrinë e Drejtësisë, që do të drejtohet nga profesori Jeton Shasivari, ndërsa ka humbur Politikën Sociale. Ky resor i ka kaluar OBRM-PDUKM-së dhe do të udhëhiqet nga zv.ministri aktual, Gjoko Vellkovski.
VLEN ka mbetur edhe pa dikasterin e shëndetësisë. Në këmbim, ka marrë Ministrinë e Kulturës, ku ministër do të jetë Sedat Sulejmani.
Nuk do të ketë ndryshime te kuadrot e VLEN-it në Eurointegrime, Ekologji dhe Ekonomi, përkatësisht Bekim Sali, Muhamet Hoxha dhe Besar Durmishi. /tvm2
