Pesë prokurorë publikë kanë hyrë në garë për drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, post që aktualisht mbahet nga Islam Abazi. Votimi është planifikuar të zhvillohet më 28 tetor, përmes zgjedhjes së drejtpërdrejtë dhe të fshehtë nga prokurorët publikë.
Të lidhura
None found
Lista zyrtare e Këshillit të Prokurorëve Publikë përfshin emrat e Faton Azizit, Trajçe Pelivanovit, Lidija Raiçeviqit, Iskra Haxhi Vasilevës dhe Jovan Cvetanovskit. Procesi është hapur pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të Islam Abazit, i cili u zgjodh në vitin 2022.
Faton Azizi është pjesë e Prokurorisë për Krim të Organizuar që nga viti 2024 dhe ka punuar në çështjet “Aditiv”, “Botoks” dhe “FFM”. Në një prononcim për “Fokus”, ai ka deklaruar se programi i tij mbështetet te rritja e kapaciteteve hetimore, zhvillimi i hetimeve financiare, forcimi i forenzikës digjitale dhe bashkëpunimi mes institucioneve.
Trajçe Pelivanov ushtron aktualisht detyrën në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup. Ai ka punuar më herët në Prokurorinë Speciale Publike dhe në vitin 2022 drejtoi përkohësisht Prokurorinë për Krim të Organizuar, pas pezullimit të Vilma Ruskoskës. Për “Fokus”, Pelivanov ka veçuar përvojën e tij profesionale, ndërsa programi për drejtimin e institucionit është ende duke u hartuar.
Lidija Raiçeviq është prokurore publike që prej vitit 2003 dhe ka një përvojë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka qenë pjesë e Prokurorisë për Krim të Organizuar nga viti 2014 deri në vitin 2018, ndërsa sot punon në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.
Iskra Haxhi Vasileva aktualisht shërben si prokurore në institucionin për drejtimin e të cilit ka paraqitur kandidaturën. Ndër dosjet që ajo trajton është edhe çështja ndaj Gjoko Ristovit, gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Jovan Cvetanovski është prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup dhe ka mbi 25 vjet përvojë në profesion. Emri i tij është i njohur edhe për trajtimin e rastit të njohur me emrin “Mazuti”.







