Fatmir Limani, i cili pas rikonstruimit të qeverisë po largohet nga drejtimi i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ka reaguar publikisht duke bërë të ditur se përkushtimi i tij ndaj qytetarëve do të vazhdojë edhe jashtë funksionit të ministrit, përcjell TV21.
Në reagimin e tij të gjatë me titull “Misioni vazhdon”, Limani thekson se funksionet publike janë të përkohshme, ndërsa përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe të rinjve mbetet e pandryshueshme. Ai përmendi edhe disa nga rezultatet që, sipas tij, janë arritur gjatë mandatit, si punësimet në institucionet që varen nga ministria, rritja e pensioneve dhe e pagave për kategori të caktuara, ndryshimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe investimet për ndërtimin dhe zgjerimin e kopshteve.
Të lidhura
None found
Po ashtu, Limani deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrës është përballur me pengesa dhe sulme politike, por nënvizoi se kjo nuk do ta ndalë në rrugëtimin e tij. Në fund, ai falënderoi bashkëpunëtorët për kontributin dhe shprehu bindjen se edhe në të ardhmen do të vijojë të punojë për të rinjtë dhe qytetarët.
Shkrim i plotë i Limanit:
MISIONI VAZHDON
Një vendim mund të përcaktojë një funksion, por obligimi ndaj popullit buron nga karakteri i formuar që nga dita e lindjes dhe vazhdon pa ndërprerje…
Politika është një arenë ku përplasjet ndodhin edhe brenda sekondave, ndërsa veprat mbeten të gdhendura përgjithmonë në kujtesën e atyre që të ndjekin dhe presin prej teje.
Një pozitë nuk është pasuri e lënë trashëgim nga prindërit, por një detyrë dhe shërbim që mbaron në një kohë të pacaktuar.
Ministria është vendi ku vijnë dhe largohen funksionarë të ndryshëm, të cilët dallohen nëse janë përfitues personalë apo shërbëtorë të interesit kolektiv.
Unë gjithmonë kam zgjedhur të punoj në shërbim të popullit dhe atdheut, sepse kjo më jep përjetësi.
Rruga ime personale ka qenë rrugë sakrifice dhe pune të pandalur, dhe pikërisht kjo më ka bërë të gatshëm të shërbej me përkushtim, të mos trembem nga vështirësitë, por t’i shndërroj ato në fitore.
Më kanë luftuar dhe ende më luftojnë, sidomos disa prej atyre që dikur i kam mbështetur dhe i kam ngritur me gjithë fuqinë time, sepse gjithmonë kam besuar se politika duhet të ndërtohet mbi bashkëpunim dhe moral të ndërsjellë.
Por edhe këto sprova janë pjesë e rrugëtimit.
Vlera e karakterit dhe e punës së një njeriu nuk matet me duartrokitje, por mbi të gjitha me mënyrën se si ngrihet kur “hazërgjinjtë” e sfidojnë, nga e vetmja arsye se nuk e kanë karakterin e tij.
Çdo ditë kam punuar duke sfiduar edhe veten, për të arritur rezultate që do ta bënin rininë, familjet dhe tyre më të pavarur dhe më të fuqishëm ekonomikisht.
Me këtë rast dua të ndaj disa nga arritjet, të realizuara gjithmonë së bashku me stafin e kabinetit tim dhe me bashkëpunëtorët e mi, të cilët nuk krahasohen me të tjerët, në kuptimin më të mirë të fjalës;
• Kemi realizuar mbi 1300 punësime, prej të cilëve mbi 400 shqiptar, vetëm në institucionet që janë në kompetencë të Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, ndërsa ky numër vazhdon të rritet.
● Siguruam vendime pune për edukatore dhe përkëdhelëse nëpër çerdhe; Shkup mbi 50, në Tetovë mbi 50, Haraçinë mbi 30, Likovë mbi 20, Gostivar mbi 30, Kërçovë mbi 20, Strugë mbi 20…, Përlep, Manastir…
• Janë realizuar avancime të shumta në pozita udhëheqëse, ku vetëm në Ministri kemi avancuar 10 punonjës në pozita Këshilltar Shtetëror, prej tyre 6 janë shqiptarë.
• Kemi mundësuar punësimin e mbi 10 profesionistëve shqiptarë në njësinë e Bankës Botërore.
• Kemi hartuar dhe ndryshuar ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, duke bërë të mundur që provimi për licencimin e drejtorëve, edukatoreve, përgdhelsave, punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në kopshtet e fëmijëve të jepet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa edhe licenca të lëshohet në gjuhën shqipe.
• Pensionet janë rritur për 7,000 denarë, ndërsa rritja do të vazhdojë edhe në vitin që kemi fatin të jetojm…
• Për herë të parë pas 40 viteve është rritur paga me 20% për mbi 1,000 punonjës në Qendrat për Punë Sociale.
• Nuk mbetën pa u përfshirë as të punësuarit në Ministri, të cilëve pagat iu rritën deri në 21%.
• Jemi në prag të nisjes së ndërtimit të kopshteve të reja në Zhelinë, Çellopek-Brvenicë dhe Hasanbeg-Gazi Babë, kopshte të kërkuara prej vitesh nga banorët shqiptarë, të cilat më në fund hynë në programin për investime kapitale.
• Për kopshtet e fëmijëve në Zajas, Studeniçan, Çashkë e Dollnen është punuar intensivisht për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që të përfshihen në programin e Ministrisë për investime kapitale.
• Në Strugë, Çair dhe në shumë komuna të tjera është shqyrtuar zëvendësimi i çerdheve të vjetra me objekte të reja.
• Në pothuajse çdo komunë vazhdojnë punimet për ndërtimin e kopshteve, si në Karposh, Butel, Gjorçe Petrov, Manastir e të tjera, duke ulur listën e pritjes për mbi 1 500 fëmijë.
• Së fundi, me nënshkrimin e kontratave me 11 komuna, përfshirë Gostivarin dhe Bogovinën, në shkollat fillore po krijohen hapësira të përshtatura për përkujdesjen e fëmijëve, duke e zvogëluar listën e pritjes edhe për rreth 400 fëmijë.
• Ka edhe shumë arritje të tjera, përfshirë reforma në sistemin pensional, në mbrojtjen e fëmijëve dhe në mbrojtjen sociale….
Atleti i maratonës e di mirë se ndalesat shërbejnë vetëm për të shuar etjen dhe për të marrë forcë për etapën tjetër.
Nisur nga kjo, të gjithë duhet ta kuptojnë se askush nuk do të arrijë të më diktojë, të më urdhërojë apo të më detyrojë se cilët do të jenë bashkëpunëtorët e mi në rrugën drejt qëllimit që mbetet i njëjtë: punë deri në vetëflijim që Rinia të mbetet në vendlindje.
Në jetë, ashtu si edhe në politikë, ka çaste kur mendohet se një kapitull ka përfunduar, por harrohet se për të përkushtuarit pikërisht aty nis një kapitull i ri.
Politika nuk është një shkallë rehatie e synuar, por një sfidë për të bërë më shumë dhe më mirë për të gjithë ata që na kanë besuar dhe presin prej nesh.
Përkushtimi dhe detyrimi ndaj Rinisë, ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që për vite me radhë kanë qenë të harruar, të anashkaluar dhe të nëpërkëmbur nga “kasta” e vjetër dhe e re, nuk do të përfundojë kurrë.
Mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan në arritjen e këtyre sukseseve të përbashkëta dhe u takofshim në fitore të reja!
Vazhdojmë të lumtur me punët e nisura dhe të përfunduara me sukses…
