Këshilltarët komunalë të Tetovës nga Aleanca Kombetare për Integrim dhe Lidhja Shqiptare kërkuan sot thirrjen e një seance urgjente të këshillit, ku të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave në shqip të rrugëve dhe shesheve në Tetovë.
Në një konferencë për media, këshilltari Berat Murati deklaroi se ky aktvendim përbën një goditje të qëllimshme ndaj identitetit shqiptar dhe dinjitetit të tetovarëve.
Të lidhura
None found
“Kërkuam seancë urgjente në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, që nuk është vetëm vendim, por një goditje ndaj identitetit shqiptar dhe dinjitetit tonë. Në vitin 2006, BDI e miratoi këtë vendim me votat e të gjithë këshilltarëve nga të gjitha komunitetet dhe sipas parimit të Badinterit. Sot kërkojmë që ky vendim të rimiratohet sërish. Tetova nuk guxon të kthehet prapa, duhet të mbrohet historia jonë”, tha Murati.
Murati shtoi gjithashtu se, nëse BDI merr ndonjë vendim për protesta kundër Gjykatës Kushtetuese, të gjithë këshilltarët e koalicionit do ta mbështesin.
