Ka kaluar afati prej katër javësh për procedimin e raportit mbi nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por Kuvendi i Kosovës ende nuk ka vendosur se si do të veprojë më tej.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se Drejtorisë Ligjore i është kërkuar një opinion. Sipas saj, Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton pasoja konkrete nëse raporti nuk procedohet brenda afatit.
Të lidhura
None found
Haxhiu sqaroi se, kur një ligj kthehet, komisioni përkatës ka katër javë kohë për të proceduar raportin. Meqë kjo periudhë ka përfunduar, Kryesia kërkoi sqarim ligjor për hapat që duhen ndjekur në mungesë të një vendimi brenda afatit.
Ajo njoftoi se gjatë kësaj jave pritet të procedohet një nismë e re për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Përmbajtja e draftit do të bëhet publike pasi ai të dorëzohet në Kuvend.
Sipas kryeparlamentares, vështirësitë që shoqëruan nismën e mëparshme nuk kishin të bënin me përmbajtjen, por ishin tërësisht procedurale. Drafti i ri, tha ajo, do të lidhet me atë që e quajti vendim të padrejtë të Gjykatës Speciale.
Haxhiu foli edhe për përgatitjen e një strategjie për trajtimin e çështjeve të të drejtave të njeriut në raport me Gjykatën Speciale. Grupi punues po vijon angazhimin, ndërsa Kuvendi do të marrë pjesë në këtë proces.
Ajo bëri të ditur se Kuvendi së shpejti do të angazhojë një mekanizëm institucional, i cili do të mbikëqyrë respektimin e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Haxhiu kritikoi gjithashtu Avokatin e Popullit pranë kësaj gjykate, duke thënë se ai nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e veta. Ajo shtoi se e kishte ngritur këtë shqetësim edhe kur ishte ministre e Drejtësisë, por nuk kishte pasur reflektim.






