Ballkani i Hapur nuk funksionon në Tabanocë. Radhët e gjata të kamionëve në terminalin doganor mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, shkaktoi reagimin e Odës Ekonomike. Korsia “Open Ballkan” për transportin e mallrave në vendkalimin e Tabanocës gjatë verës është përdorur për kolonat e veturave. Nga Oda thonë se kanë gjetur disa pika të dobëta që duhet të intervenohet në përforcimin e rrymës për të mos rënë sistemi, korsi e posaçme për maunat e zbrazëta, funksionimi pa ndërprerë i dy peshoreve.
“Duhet patjetër të ketë lidhje të sistemeve. Tani fizikisht janë ngjitur kabina me kabinë por nuk do të thotë se kontrollin e bëjnë bashkë. Esenca e zbatimit të kontrollit të përbashkët nënkupton kur të shkëmbejnë të dhënat me një sistem të ndërlidhur. Kur vjen kamioni, nëse njëra palë është e informuar për çfarë lloji të mallit bëhet fjalë, nëse në hyrje nga pala maqedonase apo në dalje nga pala serbe, procesi aty duhet të përfundoj”, tha Biljana Peeva-Gjuriq, Oda Ekonomike.
Shoferët e kamionëve nëse i zë ora 16 në kolonën e terminalit doganor të Tabanocës, duhet të presin deri të nesërmen në 7 të mëngjesit. Kjo ndodh pasi që inspektorët e Drejtorisë fito sanitare dhe të Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë nuk pranon dokumente edhe pse punon deri ora 19. Vozitësit e transportit të mallrave thonë se edhe kjo nuk mjafton, andaj kërkojnë që të gjitha shërbimet të punojnë në tre turne dhe të hapen më shumë korsi të tipit një sportel për hyrje dalje me Serbinë dhe Shqipërinë.
“Shpedicionet dhe kompanitë ankohen se janë të mbingarkuar me kërkesa të dokumenteve edhe për procedurat që nuk duhet të jenë në letër por në formë elektronike. Drejtoria fito sanitare në Ministrinë e Bujqësisë, kërkojnë dëshmi në letër pasi që nuk kanë pajisjet e duhura elektronike për ti kontrolluar”, tha Aneta Dimovska, Oda Ekonomike.
Për muajin korrik-gusht rreth 60 mijë kamionë kanë hyrë dhe dalë përmes procedurës doganore, pa llogaritur ata të cilët vetëm kanë transituar nëpër Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, çdo ditë kolonat bëhen deri në 2 km nga 30-40 kamionë, të cilët thuhet se presin nga 2-3 orë. Nga Oda i bëjnë thirrje Drejtorisë së Doganave dhe MPB-së të ndërmarrin sa më shpejtë hapa për lehtësimin e qarkullimit të mallrave./Alsat.mk