MPB hap konkurs për regjistrimin e 200 nxënësve në Shkollën e Mesme të Policisë në RMV

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike thirrjen për regjistrimin e nxënësve në Shkollën e Mesme të Policisë, institucion që është rikthyer në funksion pas një ndërprerjeje prej 25 vitesh.

Të lidhura

None found

Nga MPB njoftojnë se bëhet fjalë për “një thirrje publike për pranimin e 200 nxënësve me kohë të plotë që janë të interesuar të regjistrohen në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji” në Akademinë e Policisë në Ministrinë e Brendshme”.

Programi arsimor do të zgjasë dy vite akademike dhe do të përfshijë vitin e tretë dhe të katërt të arsimit të mesëm. Të drejtë aplikimi në konkursin publik do të kenë kandidatët që kanë përfunduar vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme dhe, nëse i përmbushin kushtet e përcaktuara, do të mund ta vazhdojnë shkollimin e tyre në këtë shkollë të mesme të policisë.

Sipas nevojave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të mundësohet edhe vazhdimi i trajnimit bazë për punonjës policie, i cili zgjat një vit, paralelisht.


Shtuar 2.07.2026 13:07