Një operacion i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) ka çuar në identifikimin e administratorit të tregut ilegal online “OLVX”, ku qarkullonin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale hyrjeje dhe mjete për realizimin e veprave penale kibernetike.
Të lidhura
None found
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në kuadër të MPB-së ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë ndaj E.A. (20), nga fshati Reçicë e Madhe. Ai dyshohet për “mashtrim kompjuterik”, “keqpërdorim të të dhënave personale” dhe “prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve”.
Hetimi nisi pas të dhënave të siguruara nga FBI-ja, të cilat u përdorën si bazë për një veprim të përbashkët dhe të koordinuar për dokumentimin e veprimtarisë kriminale në platformën “OLVX”, njofton MPB-ja.
Materialet e mbledhura nga autoritetet tregojnë se i dyshuari, nga viti 2023 deri në vitin 2025, ka menaxhuar domene dhe faqe interneti të lidhura me këtë platformë. Ato shërbenin si një treg online ku ofroheshin të dhëna të vjedhura, programe kompjuterike dhe shërbime për kryerjen e sulmeve e krimeve kibernetike.
Përdoruesit kryesorë të “OLVX” ishin persona të angazhuar në aktivitete kriminale në internet, të cilët tregtonin të dhëna personale dhe kredenciale për hyrje në llogari përdoruesish apo në rrjetet kompjuterike të viktimave. Gjatë periudhës së funksionimit, në platformë janë ofruar më shumë se 1.500 kredenciale të vjedhura.
Hetimet kanë evidentuar edhe administrimin, nga i dyshuari, të një grupi të paligjshëm në “Telegram” me emrin “ONEMILI”, aktivitet që ka ndodhur gjatë viteve 2025–2026. Në këtë grup shpërndaheshin mjete softuerike dhe shërbime për vepra penale kompjuterike, mes tyre edhe skema mashtruese për kthimin e paligjshëm të mjeteve financiare.
Autoritetet kanë siguruar gjithashtu prova se përmes “Telegram”-it i dyshuari ka siguruar dhe mbajtur për përdorim personal materiale që përmbajnë keqpërdorim seksual të fëmijëve.
MPB-ja e cilëson këtë si operacionin e parë të përbashkët dhe të koordinuar me FBI-në në fushën e krimit kibernetik. Sipas ministrisë, aksioni përbën një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar kompjuterik.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale do të vijojë punën për parandalimin dhe goditjen e krimit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve në mjedisin digjital, bëjnë të ditur nga MPB-ja.
Ministria thekson se bashkëpunimi me FBI-në tregon domosdoshmërinë e koordinimit ndërkombëtar për përballimin e krimit kibernetik transnacional, duke përcjellë mesazhin se interneti nuk mund të përdoret si strehë për veprimtari kriminale.






