Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se është gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar me kultivuesit e specave dhe se grumbullimi i prodhimeve ka vijuar prej disa ditësh në përputhje me parashikimet.
Të lidhura
None found
Ai bëri të ditur se informacionet e përcjella nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave flasin për bisedime mes palëve, të zhvilluara me synim tejkalimin e problemit.
Mickoski deklaroi se Qeveria është në mbështetje të fermerëve dhe kërkesës së tyre për rritjen e çmimeve të blerjes së produkteve bujqësore. Sipas tij, puna e prodhuesve është zhvlerësuar nga grumbulluesit.
“Ne i mbështesim fermerët për çmime më të larta. Kur u thamë: ‘Hajde të protestojmë së bashku te grumbulluesit’, ata thanë jo. Na thanë se kjo nuk u përshtatet. Atëherë u thamë: nëse kjo nuk ju përshtatet juve, Qeveria nuk është grumbulluese”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri sqaroi se fermerëve u ishte sugjeruar të organizonin protesta përpara grumbulluesve më të mëdhenj, së bashku me përfaqësues të Qeverisë dhe të pushtetit lokal, por prodhuesit nuk e kishin pranuar këtë propozim.
Sipas tij, blerja e specave po vijon aktualisht, ndërsa Qeveria do të vazhdojë të angazhohet për mbështetjen e fermerëve dhe për përmirësimin e kushteve në të cilat ata punojnë.
