Një forcë e re politike është prezantuar në Maqedoninë e Veriut, duke zgjeruar më tej skenën politike të vendit.
Lëvizja Një u promovua mbrëmjen e sotme, ndërsa në drejtimin e saj u vendos Besim Hoda.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, Hoda deklaroi se krijimi i kësaj lëvizjeje është nxitur nga pakënaqësia ndaj politikës së deritanishme, e cila, sipas tij, nuk ka arritur t’i përfaqësojë siç duhet shqiptarët.
Ai tha se Lëvizja Një synon të mbrojë vlerat shoqërore, të forcojë shtetin e së drejtës dhe të garantojë respektimin e të drejtave të çdo qytetari. Sipas Hodës, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve nuk janë respektuar ndër vite, ndërsa pasardhësit e UÇK-së që iu bashkuan politikës nuk i mbrojtën këto të drejta pasi morën pushtetin. Hoda theksoi se lëvizja lind si reagim ndaj padrejtësive dhe si një thirrje për t’i dhënë fund kësaj situate, në mënyrë që çdo qytetar të mund të jetojë me dinjitet.
Hoda nënvizoi se synimi i Lëvizjes Një është krijimi i një alternative të re politike dhe sjellja e një qasjeje tjetër ndaj zhvillimeve politike në vend.








