Sulmi i forcave ukrainase ndaj korvetës ruse “Mercury” në ujërat territoriale të Libisë ka shkaktuar një përplasje të re mes Kievit dhe Romës, këtë herë në planin diplomatik.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbrojtur operacionin në portin e Bengazit, duke e konsideruar atë plotësisht të ligjshëm dhe të kryer në koordinim të plotë me aleatët. Reagimi i tij erdhi pas kritikave të kryeministres italiane, Xhorxha Meloni, e cila deklaroi se sulmi nuk duhej të kishte ndodhur.
Të lidhura
None found
“Ne e dimë kur një anije i nënshtrohet sanksioneve, kur transporton armë ruse dhe mban flamurin rus. Forcat tona, shërbimet e sigurisë dhe inteligjenca janë të qarta për këto çështje. Nuk mund të lejojmë që anijet ruse të na sulmojnë apo të transportojnë armë”, tha Zelensky.
Por deklarata e presidentit ukrainas është kundërshtuar nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili e mohoi kategorikisht se Roma ishte informuar apo kishte koordinuar operacionin.
“Nuk ka pasur asnjë lloj koordinimi. Askush nga ne nuk u informua dhe askush nuk dinte asgjë për atë që po bënin ukrainasit në Libi. Ajo që tha Zelensky nuk është e vërtetë”, deklaroi Tajani.
Debati ka kaluar tashmë edhe në arenën e brendshme politike italiane. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka thirrur për 1 dhjetor një mbledhje urgjente të Komitetit Ndërministror për Sigurinë Detare, ndërsa opozita ka akuzuar Melonin se, për shkak të qëndrimeve të saj, Italia ka humbur peshë në skenën europiane.








