Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë hetimore ndaj një 38-vjeçari, i dyshuar për veprën penale “Vrasje”, të parashikuar në nenin 123, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas të dhënave të prokurorisë, në mëngjesin e 21 nëntorit, në një rrugë anësore të Shkupit, pranë kryqëzimit te Liqeni i Smilkovës, i dyshuari i mori me dashje jetën Edin Shkrijeljt.
Të lidhura
None found
Ngjarja paraprihet nga një konflikt i nisur përmes një aplikacioni telefonik. Pas debatit, i dyshuari shkoi me automjetin e tij në vendin e caktuar.
Atje, ai e parkoi makinën përballë automjetit të drejtuar nga Shkrijelj. Të dy dolën nga automjetet dhe vijuan përplasjen verbale. Në një moment, i dyshuari nxori armën dhe qëlloi ndaj Shkrijeljt.
Plumbi e goditi viktimën në këmbën e majtë, duke i prekur arterien femorale. Për shkak të hemorragjisë së rëndë, ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Pas të shtënave, i dyshuari u largua me automjet në drejtim të fshatit Hasanbeg, ndërsa gjatë rrugës e hodhi armën, bëri të ditur PTHP-ja.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.







