Deputetët e Kuvendit të RMV-së konfirmuan sot dorëheqjen e zëvendësministrit të Shëndetësisë, Jovica Andovski.
Të lidhura
None found
Gjatë seancës së 126-të u miratua rendi i ditës, ndërsa përpara shqyrtimit dhe votimit të pikave të parashikuara po zhvillohet sesioni i pyetjeve parlamentare të opozitës.
Mes çështjeve të përfshira në rendin e ditës janë projektligji për ratifikimin e Protokollit të Tretë të Marrëveshjes së Përgjithshme për Privilegjet dhe Imunitetet e Këshillit të Evropës, si dhe propozimi për zgjedhjen e një komisioneri të jashtëm, anëtar i Komisionit të Letrave me Vlerë.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektvendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë në operacionin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian – ALTEA, në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe projektvendimin për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit për dhënien e çmimit shtetëror “Goce Dellçev”.
Në agjendë është përfshirë edhe projektligji i ndryshuar për auditimin shtetëror, në lexim të tretë, krahas projektvendimit për ndryshimin e vendimit që miraton zgjatjen e periudhës së gjendjes së krizës, për shkak të rrezikut të ndërprerjes së furnizimit me naftë dhe derivate të naftës në territorin e shtetit. Po ashtu, do të shqyrtohet kërkesa e deputetes Daniella Nikollova për interpretim autentik të nenit 141, paragrafi (4), të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës.
Kuvendi nuk e miratoi propozimin për përfshirjen, përmes procedurës së shkurtuar, të Ligjit për Mbështetjen Financiare për Zvogëlimin e Pasojave të Krizës Ekonomike në Prodhimin Bujqësor dhe Blegtoral dhe Blerjen e Produkteve Bujqësore në vitin 2026 në rendin e ditës së seancës./Telegrafi/







