Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se optimizimi i paralajmëruar i rrjetit shkollor nuk do të sjellë largim nga puna të mësimdhënësve. Duke folur të mërkurën para mediave, ajo theksoi se në arsim nuk parashihen pushime nga puna për mësuesit, edhe pse gjatë shtatë viteve të fundit numri i nxënësve në vend është zvogëluar për rreth 17 mijë dhe raporti mes mësuesve dhe nxënësve është në rënie.
Sipas saj, Ministria është duke punuar për riorganizimin e rrjetit të shkollave, proces që përfshin sistemim ndryshe të klasave dhe paraleleve, ndarje më efikase të orëve të mësimit dhe shfrytëzim më racional të kuadrit arsimor.
Të lidhura
None found
Janevska u shpreh se synimi është rritja e efikasitetit të sistemit, pa pasoja për të punësuarit në arsim. Në konferencën për shtyp të mbajtur në Qeveri, ku prezantoi punën e realizuar gjatë dy viteve të fundit, ajo nënvizoi se arsimi dhe shkenca mbeten bazë e zhvillimit. “Kemi punuar shumë, edhe për mësuesit. Kemi siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë”, tha ministrja, duke iu referuar marrëveshjes për rritjen e pagave me 40 deri në 60 përqind gjatë një periudhe katërvjeçare.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se avancimi në karrierë për mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesionalë në arsimin fillor po vazhdon, ndërsa këtë vit, për herë të parë, ky proces është shtrirë edhe në arsimin e mesëm. Me vendosjen e ditarit të ri elektronik, siç tha ajo, mësuesit çlirohen nga një pjesë e madhe e barrës administrative dhe njëkohësisht mbrohen nga presionet për ndryshimin e notave.
Në të njëjtën kohë, ka nisur edhe zbatimi gradual i certifikatave elektronike, që këtë vit përfshin nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën. Sa i përket arsimit të lartë dhe shkencës, Janevska theksoi se buxheti për universitetet është rritur nga 3 miliardë denarë në vitin 2022 në 8 miliardë denarë në vitin 2026, ndërsa buxheti për shkencën është ngritur nga 380 në 773 milionë denarë.
Ajo njoftoi se në vitin 2025 janë ndarë mbi 370 milionë denarë për projekte kërkimore shkencore, ndërsa është siguruar edhe qasje falas në bazat e të dhënave Web of Science dhe Scopus. Në fushën e arsimit profesional, ministrja tha se modeli i arsimit të dyfishtë është përmirësuar me përfshirjen e rreth 1000 kompanive, ndërsa janë themeluar shtatë qendra rajonale dhe janë shpallur njoftime për hapjen e edhe tetë të tjerave.
Duke folur për tekstet shkollore, Janevska theksoi se për herë të parë pas një periudhe të gjatë ato po sigurohen me kohë, përpara nisjes së vitit shkollor, përfshirë edhe tekstet në gjuhë të huaja. Për infrastrukturën, ajo bëri të ditur se rreth 70 milionë euro janë investuar në më shumë se 90 projekte, ku përfshihen shkolla, palestra sportive dhe konvikte studentore që janë në ndërtim ose rindërtim, ndërsa disa prej këtyre objekteve pritet së shpejti të rikthehen në funksion.
Ministrja foli edhe për procesin e dixhitalizimit në arsim, duke theksuar se nëpër shkolla janë vendosur pajisje të reja IT, është siguruar internet i mbrojtur dhe janë zhvilluar trajnime për mësuesit për përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë edhe inteligjencën artificiale.
