Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, priti sot në Klubin e deputetëve ministrin e Punës së Shtetit të Katarit, Sh.T. Dr. Ali bin Samih Al Marri, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në krye të një delegacioni të lartë qeveritar.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, dy ministrat firmosën Memorandumin për bashkëpunim në fushën e punës ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punës së Shtetit të Katarit. Marrëveshja krijon bazën institucionale për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për shkëmbimin e përvojave në sektorin e punës.
Dokumenti përfshin disa fusha me interes të përbashkët, ndër të cilat shkëmbimin e përvojave, organizimin e vizitave studimore dhe ndarjen e praktikave më të mira për marrëdhëniet e punës, inspektimin e punës, sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës. Në të parashikohet gjithashtu shkëmbimi i ekspertizës dhe i pikëpamjeve gjatë përmirësimit të legjislacionit të punës.
Memorandumi përcakton edhe krijimin e një Komiteti të përbashkët, i cili do të ndjekë dhe koordinojë zbatimin e aktiviteteve të dakorduara, si dhe do të angazhohet për hartimin e programeve të ardhshme të bashkëpunimit.
Gjatë bisedimeve, Durmishi dhe Al Marri shqyrtuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe institucionale mes dy vendeve. Në fokus ishin gjithashtu zhvillimi i tregut të punës, shkëmbimi i ekspertizës dhe konsolidimi i partneritetit në sektorët me interes të përbashkët.
“Nënshkrimi i këtij Memorandumi është hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shtetit të Katarit. Përmes bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të njohurive dhe praktikave të mira, do të kontribuojmë në avancimin e mëtejshëm të politikave të tregut të punës, përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve tona. Jam i bindur se ky partneritet do të hapë mundësi të reja bashkëpunimi dhe do të sjellë përfitime konkrete për të dy vendet”, deklaroi ministri Durmishi.
Vizita e delegacionit nga Katari dhe nënshkrimi i memorandumit dëshmojnë vullnetin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ndërtimin e një partneriteti të mbështetur në besimin reciprok, bashkëpunimin dhe ndarjen e përvojave në fushën e punës, në përputhje me legjislacionin e të dy shteteve.
