Një hetim i thelluar i Drejtorisë Doganore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byronë e Sigurisë Publike, ka nxjerrë në dritë një skemë të mirëorganizuar kontrabande me cigare. Sipas të dhënave, dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga shmangia e detyrimeve ligjore kap shifrën e mbi 377 milionë denarëve, ose mbi 6 milionë euro.
Të lidhura
None found
Operacioni përqendrohet në periudhën janar-qershor 2024, ku hetuesit zbuluan metoda të sofistikuara për importin, shkarkimin dhe nxjerrjen e paligjshme të sasive të mëdha të cigareve në treg, pa u regjistruar në sistemin doganor dhe pa u paguar taksat përkatëse.
Hetimi përfshin një rrjet të gjerë aktorësh, duke nisur nga kompani spedicionimi, transporti dhe importi, individë të përfshirë drejtpërdrejt, si dhe zyrtarë të autoriteteve ligjzbatuese. Në 3 prej 7 rasteve të evidentuara, u provua se kamionët me ngarkesë cigaresh hynin në vend përmes pikës kufitare të Bogorodicës në regjim tranziti. Në vend që të vijonin rrugën sipas rregullave, ngarkesa shkarkohej ilegalisht brenda territorit maqedonas, ndërsa mjetet e zbrazura dilnin nga pika kufitare e Tabanocit dhe regjistroheshin sikur të ishin ende të mbushura me mall.
Katër rastet e tjera të zbuluara paraqesin një shkelje edhe më flagrante: kamionët e ngarkuar me cigare hynë përmes së njëjtës pikë kufitare, Bogorodicë, por hyrja e tyre nuk u shënua fare në regjistrat as të doganës e as të policisë. Më pas, malli shkarkohej në territorin e Maqedonisë pa asnjë dokumentacion shoqërues dhe pa kaluar në ndonjë procedurë doganore, duke anashkaluar plotësisht pagesën e detyrimeve.
Në total, nga këto shtatë raste u konstatua se 69.350.000 copë cigare përfunduan në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm. Bazuar në provat e grumbulluara dhe në koordinim me prokurorin publik kompetent, më 23 shtator 2026, Drejtoria Doganore depozitoi kallëzime penale. Ato u ngritën kundër 3 subjekteve juridikë dhe 18 personave fizikë, mes të cilëve figura edhe 3 punonjës policie dhe 4 zyrtarë doganorë. Veprat penale për të cilat akuzohen përfshijnë “Kontrabandë”, “Mashtrim Doganor”, “Pakujdesi në punë”, “Shpërdorim i detyrës zyrtare”, “Mashtrim Kompjuterik” dhe “Mbyllje e akcizës”.
Drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, deklaroi se hetimi provon qartë se aktiviteti i paligjshëm nuk përfshin vetëm operatorët ekonomikë, por edhe zyrtarë të cilët, për nga detyra dhe autoriteti ligjor, kanë përgjegjësinë parësore për të penguar këtë lloj kriminaliteti.
