Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë bëri të ditur përmes një njoftimi zyrtar se Iva Mihaillova nuk do t’u dorëzohet autoriteteve të Maqedonisë. Sipas arsyetimit të palës bullgare, ekstradimi nuk mund të zbatohet ndaj një shtetaseje bullgare që nuk është nën ndjekje penale.
Të lidhura
None found
“Një shtetas i Republikës së Bullgarisë nuk mund të ekstradohet në një shtet tjetër ose në një gjykatë ndërkombëtare për qëllime ndjekjeje penale, përveç nëse kjo nuk parashikohet nga një marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar, shpallur dhe hyrë në fuqi për Republikën e Bullgarisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë.
Njoftimi lidhet me rastin e Iva Mihajllovës, ndaj së cilës Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Ajo u largua gjatë kësaj fundjave drejt Bullgarisë, ndërsa në Maqedoni po përballet me proces gjyqësor në Gjykatën e Koçanit për një aksident trafiku me pasoja fatale.
Iva Mihajllova, e cila përveç shtetësisë maqedonase ka edhe atë bullgare, akuzohet në Maqedoni për një aksident rrugor që shkaktoi viktima.
Pas largimit të saj nga vendi, autoritetet nxorën një urdhër-arresti qendror dhe ndërkombëtar. Gjykata e Koçanit vendosi gjithashtu masën e paraburgimit për 30 ditë.
Për të është caktuar masa paraprake, ndërsa dokumentet e udhëtimit i janë marrë nga autoritetet.






