Një aksion i përbashkët i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Inspektoratit Komunal të Bashkisë së Shkupit dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut është zhvilluar sot në tregun e gjelbër të lagjes Hasanbeg në Shkup. Gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm u sekuestruan afërsisht dy ton ushqime të pasigurta të llojeve të ndryshme.
Të lidhura
None found
Inspektimi synonte verifikimin e kushteve të tregtimit të produkteve ushqimore dhe zbatimin e rregullave ligjore që lidhen me ruajtjen dhe qarkullimin e sigurt të tyre.
Sipas konstatimeve të inspektorëve, produktet shiteshin jashtë hapësirave të përcaktuara për këtë funksion brenda tregut dhe në kushte johigjienike. Kjo situatë paraqet rrezik për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin e konsumatorëve. Mallrat e sekuestruara janë nxjerrë nga qarkullimi, ndërsa institucionet përgjegjëse do të vijojnë të ndërmarrin masa në përputhje me kompetencat ligjore.
AUV njofton se do të vazhdojë kontrollet e intensifikuara, si në mënyrë të pavarur, ashtu edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente, me synim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e ushqimit të sigurt në treg.
Agjencia u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ushqimorë që të përmbushin detyrimet ligjore dhe të krijojnë kushte të përshtatshme higjienike gjatë trajtimit, ruajtjes dhe shitjes së produkteve. Nga AUV theksojnë se siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbeten prioritete të punës së institucionit.






