Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar kontrollet për qumështin “Land”, pas deklaratës së publikuar nga portali TetovaSot, në të cilën drejtori i “Vita”-s ngre dyshime rreth këtij produkti. Synimi është të parandalohet shitja e tij deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Të lidhura
None found
Përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Tetovë i thanë portalit TetovaSot se inspektorët do të hetojnë qumështin “Land”, ndërsa rezultatet e analizave laboratorike pritet të bëhen publike shumë shpejt.
Agjencia deklaroi për TS se deri në publikimin e informacionit në media nuk kishte dijeni për dyshimet ndaj qumështit “Land”. Pas këtij njoftimi, inspektorët do të dalin menjëherë në terren, do të kërkohen analizat dhe më pas do të informohet opinioni.
Dyshimet lidhen edhe me qumështin “Land” që tregtohet në rrjetin e marketeve Kipper në Maqedoninë e Veriut.
Në një video të bërë publike në media, drejtori i “Vita”-s flet për ndryshime mes kapakëve të qumështit të parashikuar për tregun e Kosovës dhe atyre të produktit për Maqedoninë e Veriut. Në deklaratën e tij ai përmend edhe një pronar nga Maqedonia e Veriut, i cili ka markete gjithashtu në Kosovë, por nuk pranon t’ia zbulojë emrin.
Kjo deklaratë është dhënë në një periudhë kur AUVK në Kosovë ka njoftuar se në disa produkte të “Vita”-s janë konstatuar vaj palme, qumësht pluhur dhe përbërës që nuk ishin deklaruar.
Në këto rrethana shtrohet pyetja nëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka kontrolluar qumështin “Land” që shitet në Kipper dhe nëse përmbajtja e produktit është në përputhje me atë që shënohet në ambalazh.
Nëse ky qumësht është kontrolluar, institucionet duhet të bëjnë të ditur datën e marrjes së mostrës, lotin të cilit ajo i përket dhe rezultatet e dala nga analizat laboratorike.
Në rast se produkti “Land” që tregtohet në Kipper nuk i është nënshtruar kontrollit, AUV duhet të sigurojë mostra dhe të realizojë analizat përkatëse.
https://www.facebook.com/reel/1074715598346446
